Në një atmosferë entuziaste dhe mobilizuese, sonte në Tearcë u hap zyrtarisht shtabi zgjedhor i Besëlidhjes tonë – Aleanca Kombëtare Integruese (AKI). Para një numri të madh qytetarësh, kryetari historik Ali Ahmeti dha një mesazh të fuqishëm bashkimi dhe vendosmërie.

“Çdo ditë, në çdo cep të vendit, shqiptarët po na bashkohen në këtë mision të shenjtë: mbrojtjen e dinjitetit, identitetit dhe krenarisë shqiptare. Këto nuk janë vetëm zgjedhje lokale – këto janë zgjedhje për drejtim, për dinjitet dhe për të ardhmen tonë kolektive,” tha Ahmeti.

Ai theksoi se 19 Tetori nuk është thjesht një datë zgjedhjesh, por një moment vendimtar për të rikthyer besimin dhe krenarinë kombëtare:
“Është dita kur vendosim nëse do të vazhdojmë të jemi faktorë dhe zot të fatit tonë, apo do të lejojmë të tjerët të flasin në emrin tonë.”

Në fjalimin e tij, Ahmeti nënvizoi se çdo arritje e deritanishme është paguar me sakrificë dhe gjak, ndaj detyra e brezit të sotëm është ta mbrojë me vendosmëri atë trashëgimi.

“Fitorja është e jona, sepse e drejta është në anën tonë. Ne nuk kërkojmë mëshirë, por drejtësi. Dhe drejtësia fiton kur shqiptarët janë bashkë,” përfundoi Ali Ahmeti mes duartrokitjeve të shumta.

Mgid