Doli në rrugët e Nju Jorkut pro Palestinës dhe bëri thirrje kundër Trump, SHBA-të i revokojnë vizën presidentit kolumbian

Shtetet e Bashkuara thanë se do të revokojnë vizën e presidentit kolumbian Gustavo Petro, pasi ai doli në rrugët e Nju Jorkut të premten në një demonstratë pro-palestineze dhe u bëri thirrje ushtarëve amerikanë të mos i binden urdhrave të Presidentit Donald Trump .
“Ne do ta revokojmë vizën e Petros për shkak të veprimeve të tij të pamatura dhe nxitëse”, shkroi Departamenti i Shtetit në X.
Petro, duke iu drejtuar një turme protestuesish pro-palestinezë jashtë selisë së OKB-së në Manhattan, bëri thirrje për një forcë të armatosur globale me përparësi çlirimin e palestinezëve, duke shtuar: “Kjo forcë duhet të jetë më e madhe se ajo e Shteteve të Bashkuara”.
“Kjo është arsyeja pse nga këtu, nga Nju Jorku, u kërkoj të gjithë ushtarëve të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të mos i drejtojnë armët nga njerëzit. Mos u bindni urdhrave të Trump. Bindjuni urdhrave të njerëzimit”, tha Petro në spanjisht.
Reuters nuk mundi të konfirmonte menjëherë nëse Petro ishte ende në Nju Jork. Zyra e tij dhe ministria e jashtme e Kolumbisë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
OKB-ja përplaset për shkak të luftës në Gazë
Administrata Trump ka qenë duke i shtypur zërat pro-palestinezë, ndërsa vende si Franca, Britania, Australia dhe Kanadaja kanë njohur shtetin palestinez – lëvizje që kanë zemëruar Izraelin dhe aleatin e tij, SHBA-në.
Petro, presidenti i parë i majtë i Kolumbisë dhe një kundërshtar i zëshëm i luftës së Izraelit në Gaza, e kritikoi ashpër Trumpin në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të martën, duke thënë se udhëheqësi amerikan ishte “bashkëpunëtor në gjenocid” në Gaza dhe duke bërë thirrje për “ndjekje penale” për sulmet me raketa të SHBA-së ndaj anijeve të dyshuara për transport droge në ujërat e Karaibeve, shkruan Reuters.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke iu drejtuar asamblesë të premten, denoncoi vendet perëndimore për përqafimin e shtetësisë palestineze, duke i akuzuar ato se po dërgojnë mesazhin se “vrasja e hebrenjve ia vlen”.
Izraeli filloi sulmin e tij në Gaza pas një sulmi të udhëhequr nga grupi militant palestinez Hamas më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona, ndërsa 251 u morën peng. Që atëherë, fushata ushtarake e Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 65,000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, dhe ka zhvendosur të gjithë popullsinë e enklavës së ngushtë.