Shruan: Merita Isaku
Foto:S.Ramadani
Në Prizrenin e Lidhjes shqiptare, në atë shesh ku u mbajt tubimi më i rëndësishëm i historisë shqiptare, në Prizrenin e lashtë, të traditës e të mikpritjes bujare jehoi vargu poetik nga gjeografia shqiptare. Bashkëpunimi mes Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum nga Tetova dhe Shoqatës për kulturë dhe art “Fidani” nga Prizreni në oborrin e Muzeut të Lidhjes Shqiptare tuboi poetët në një takim letrar me moto “Prizreni–Poezia-Tetova”, fjala u bë një urë vargu, në mbrëmje poetike. Nikoqiri i këtij aktiviteti të paharruar, Berat Batiu, poet e botues, i dha mirëseardhje fjalës së bukur, duke ia dorëzuar skenën kryetares së Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum”, Sadije Aliti, e cila, u shpreh se ndjehej e nderuar dhe falemenderuese për realizimin e këtij manifestimi duke theksuar rëndësinë e këtyre takimeve për ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave letrare. “Veprimtaritë kulturore janë mundësi për të ndarë vlera, për të krijuar ura mes krijuesve dhe për të ruajtur gjallërinë e gjuhës e të kulturës sonë, sa afër jemi, e sa larg na duket, por vargu poetik na bashkoi në Prizrenin e lavdisë kombëtare”, tha zonja Aliti.

Berat Batihu, kryetar i Shoqatës “Fidani” në Prizren, u shpreh se ”ky takim është dëshmi se poezia nuk njeh kufij, ajo është mjet për bashkim, për dialog kulturor dhe për shprehjen më të pastër të ndjenjave njerëzore”.
Fillimisht u vizitua biblioteka më e vjetër në Kosovë në qytetin e Prizrenit, ku autorët nga Tetova dorëzuan veprat e tyre, duke pasuruar biblioteken me tituj te rinj. Pastaj u vendosën lule të freskëta te Lapidari i dëshmorëve në qytet dhe te busti i burrave të Lidhjes te oborri i muzeut. Manifestimi u shoqërua në oborrin e Lidhjes së Prizrenit, aty ku jehuan vargjet nga trojet shqiptare, poetët nga të trija anët e kufirit Kosovë, Maqedonia e Veriut, Shqipëri, shpalosën vlerat e tyre letrare, ku të pranishëm ishin shkrimëtarë nga Kuksi, Prizreni, Suhareka, Rahoveci, Prishtina, Gostivari, Gjakova, Peja, Shkupi dhe Tetova. Poezitë e tyre recituan:Gazmend Beqë, Ejup Ajdini, Shefqete Gosallci, Ramadan Haxhijaj, Lulzim Hajdari, Behare Neziri, Bekim Kelmendi, Rami Kamberi, Bajramali Selimi, Rexhep Morina, Besnik Camajt, Mal Haziri, Kasam Shaqirvela, Sherife Berisha-Thaçi, Mirvete Kabashi-Leku, Merita Isaku, Ramadan Reshitajt, Bajrame Tafallari, Emine Islami, Emira Ibishi, Bejza Isaku, Jonuz Bytyqi, Xhemajl Kolgeci, Muhaxher Haruni, Sadije Aliti, Rabije Bytyçi, Ilami Berisha. Poezitë prekën tema të ndryshme nga dashuria, identiteti dhe atdheu, përjetime personale e universale, duke dëshmuar larminë dhe pasurinë e krijimtarisë shqipe. Eventi u zhvillua në një ambient historik dhe simbolik, oborrin e Muzeut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke i dhënë aktivitetit një dimension të thellë kulturor e kombëtar. Pas recitimit të poezive mbrëmja u shoqërua me disa këngë të bukura patriotike nga zëri melankolik të interpretuar nga Shefqete Gosalci. Nga te dy kryetarët u nënshkrua një Memorandum bashkëpunimi mes dy shoqatave. Shoqata “Fidani” ndau mirënjohje për krijuesit nga Tetova.

Mgid