Prej sot në mesnatë fillon fushata 20-ditore për Zgjedhjet Lokale 2025, të cilat do të mbahen më 19 tetor (rrethi i dytë më 2 nëntor).

Zgjedhjet lokale të 19 tetorit të këtij viti do të jenë të tetat prej pavarësisë së shtetit, dhe të katërtat ku zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Në Zgjedhjet Lokale 2025 ka gjithsej 309 kandidatë për kryetarë komunash dhe 576 lista kandidatësh për anëtarë të këshillave komunalë me gjithsej 10.490 kandidatë.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në seancën e së premtes e përmbylli Listën Zgjedhore, në të cilën janë të regjistruar gjithsej 1.832.415 votues.

Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, informoi se, sipas evidencës së organeve kompetente, të drejtë vote kanë gjithsej 112.000 votues që janë në punë ose qëndrim të përkohshëm jashtë vendit, 2.162 votues që ndodhen në vuajtje dënimi me burg ose në paraburgim dhe 450 votues nga shtëpitë e të moshuarve.

Kontrolli në listën zgjedhore zgjati 20 ditë, gjatë të cilave qytetarët me të drejtë vote mund t’i kontrollonin të dhënat e tyre dhe të kërkonin korrigjime.

Në shtet janë evidentuar 3.480 vendvotime, prej të cilave në 132 vendvotime janë nënshkruar më pak se dhjetë votues, ku votimi do të zhvillohet në vendvotimin më të afërt.

Buxheti i përgjithshëm për mbajtjen e zgjedhjeve lokale 2025 arrin 9 milionë e 760 mijë euro, nga të cilat dy të tretat janë para të destinuara për mediat dhe reklamimin politik të paguar.

Përveç këtyre parave është edhe shuma për kompensimin e anëtarëve të këshillave zgjedhorë dhe transportin e shpërndarjen e anëtarëve të tyre dhe materialit zgjedhor nga KQZ-të komunale deri te vendvotimet ku do të votohet, pasi ato sigurohen nga vetëqeverisjet lokale.

Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet lokale mbahen çdo katër vjet, në gjysmën e dytë të tetorit. Vetëqeverisja lokale është e organizuar në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit si njësi e veçantë e vetëqeverisjes lokale.

Në përbërje të Qytetit të Shkupit funksionojnë 10 komuna, të cilat kanë kompetenca të ndara me Qytetin. Zgjedhjet i shpall kryetari i Kuvendit me marrjen e një akti që publikohet në Gazetën Zyrtare. Zgjedhjet mbahen më herët 70, e më vonë 90 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Mgid