Në Konventën promovuese të Aleancës Kombëtare për Intregrim (AKI), e mbajtur në sallën “Boris Trajkovski” në Shkup, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, theksoi rëndësinë e respektimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbushin obligimet e tyre, përfshirë edhe palën maqedonase.
Ahmeti, theksoi se Marrëveshja e Ohrit është baza e paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës ndëretnike në vend.
“Marrëveshja e Ohrit nuk është thjesht një dokument politik, por një angazhim i përbashkët që garanton barazi, përfaqësim dhe të drejta për të gjithë qytetarët. Respektimi i saj është detyrë e secilit, pa përjashtim, përfshirë edhe palën maqedonase,” – u shpreh Ahmeti.
Ai gjithashtu theksoi se Marrëveshja duhet të zbatohet në frymë dhe në përmbajtje, jo vetëm në letër, duke paralajmëruar se çdo devijim apo zvarritje në implementim rrezikon rendin demokratik dhe harmoninë ndëretnike në vend./TS