ILIR DEMIR: Tetova nuk shitet as nuk blehet, ajo meriton ndryshimin dhe është pronë vetëm e Tetovarëve! (VIDEO)

Me rastin e hapjes së shtabit të Besëlidhjes Rinore të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) në Tetovë, deputeti Ilir Demiri mbajti një fjalim para përkrahësve dhe kandidatëve të kësaj force politike, duke theksuar se Tetova nuk shitet as nuk blehet, ajo meriton ndryshimin dhe është pronë vetëm e Tetovarëve, raporton TS.
“Kam nderin që mu dha mundësia t’ju përshëndes të gjithëve. Fillimisht, ju përgëzoj për hapjen e shtabit dhe ju dëshiroj suksese gjithë kandidatëve për këshilltarë, në krye me Bajram Rexhepit. Lutem për fitore dhe për një fushatë dinjitoze,” – deklaroi Demiri.
Ai vlerësoi kampanjën e AKI-së si të bazuar në ide dhe vlera, duke e cilësuar si luftë të koncepteve dhe opsioneve për të ardhmen e vendit.
“Ne ofrojmë një opsion të qartë – integrim në Bashkimin Evropian. Qëndrojmë pas asaj që kemi ofruar edhe në zgjedhjet parlamentare. Maqedonia nuk ka tjetër perspektivë përveç euro-integrimeve. Shqiptarët janë pjesë përbërëse e këtij shteti dhe e ardhmja e tyre është në Evropë,” – theksoi ai.
Demiri bëri thirrje për unitet dhe për një fushatë të civilizuar, duke kujtuar se politika është garë idesh dhe jo ndasi mes njerëzve.
“Mos harroni, të gjithë jemi vëllezër. Njerëzit kanë të drejtë të gabojnë, por ne duhet të ofrojmë alternativën më të mirë. Faktet janë në anën tonë,” – tha ndër të tjera ai.
Në fund, Demiri shprehu bindjen se dera e Bashkimit Evropian është e hapur dhe se AKI do të vazhdojë të punojë drejt këtij vizioni, duke u bërë thirrje edhe pjesëtarëve të tjerë të qeverisë që të bashkohen në këtë drejtim./TS