Burri nga Prilepi e ka ndjekur dhe shqetësuar ish-bashkëshorten për dy vite, prokuroria kërkon paraburgim

Pas zhvillimit të procedurës paraprake, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Prilep ka paraqitur një propozim akuze në Gjykatën Themelore të Krushevës kundër një personi për veprën penale – Përndjekje, sipas nenit 144-a, paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Në periudhën nga gushti i vitit 2023 deri në gusht 2025, i akuzuari në mënyrë të përsëritur ka ndjekur dhe përndjekur ish-bashkëshorten e tij pa autorizim, është përzier në jetën e saj private dhe ka vendosur kontakt të padëshiruar, duke u shfaqur në vendet ku ajo ndodhej. Gruan e ka keqtrajtuar psikologjikisht, e ka shqetësuar dhe frikësuar, duke i shkaktuar ndjenjë pasigurie, ankthi dhe frike.
Ai e ka kontaktuar vazhdimisht përmes telefonit, duke e ofenduar dhe herë pas here duke i drejtuar kërcënime për jetën. Është përpjekur të hyjë në shtëpinë e saj dhe e ka ndjekur edhe në vendin e punës – në Qendrën për Punë Sociale.
Gjatë procedurës paraprake ndaj të pandehurit janë caktuar masa kujdesi, të cilat ai nuk i ka respektuar, prandaj prokurori kompetent, së bashku me aktakuzën, ka paraqitur edhe kërkesë të veçantë për caktimin e masës së paraburgimit.