Vazhdon kërkesa për drejtësi në Koçan. Gjashtë muaj pas tragjedisë së diskotekës “Puls”, ku humbën jetën 59 të rinj dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur, prindërit e viktimave dhe qytetarët marshuan sërish nëpër rrugët e qytetit. Ata kërkojnë zbardhjen e plotë të rastit, ndëshkimin e fajtorëve dhe transparencë nga institucionet, të cilat sipas tyre, po e zvarrisin drejtësinë.
“Ky marsh është simbol i bashkimit, dinjitetit dhe një zë që kërkon përgjegjësi. Ia kushtojmë engjëjve që kurrë nuk do të harrohen dhe luftës për të vërtetën që ua kemi borxh. I ftojmë të gjithë qytetarët, pa dallim feje, etnie apo përkatësie politike, të na bashkohen dhe së bashku të tregojmë se drejtësia për engjëjt tanë është mbi çdo gjë.”, u shpreh një organizator i protestës.
Pas konfirmimit të aktakuzës për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan, njohësit e çështjeve juridike paralajmërojnë se publiku duhet të përgatitet për një proces gjyqësor të gjatë, kompleks dhe rraskapitës, i cili do të përballet me sfida të mëdha logjistike dhe juridike. Me 37 të akuzuar, 33 avokatë mbrojtës dhe më shumë se 250 persona të dëmtuar, çdo seancë pritet të jetë e vështirë për t’u organizuar, ndërsa mungesa e vetëm një personi mund të sjellë shtyrje të reja.
“Procedurat kaq komplekse, ku marrin pjesë një numër i madh palësh, zakonisht zgjasin gjatë, dhe çdo mungesë, qoftë për arsye shëndetësore apo teknike, çon në shtyrje të reja të seancave. Megjithëse pritjet e opinionit publik janë të drejtuara kah drejtësia e shpejtë dhe efikase, përvoja tregon se raste të tilla rrallë zgjidhen brenda afateve të shkurtra.”, tha Darko Avramovski nga koalicioni “Të gjithë për një gjykim të drejtë”.
Juristi Avramovski analizon se do të jetë e vështirë të provohet aktakuza, pasi të gjithë të pandehurit akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme. Këshilli për vlerësimin e aktakuzës e rrëzoi aktakuzën kundër 37 personave.