Javë intensive e Aleancës Kombëtare për Integrim në Tearcë: Takime me qytetarët, fermerët dhe mbështetje nga Taravari e Neziri

Shtabi lokal i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) në Komunën e Tearcës ka zhvilluar një sërë aktivitetesh gjatë kësaj jave, në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale informon Tetovasot.
Në këto takime morën pjesë kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Tearcës, Nazim Taipi, kreu i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, kryetari aktual i komunës Nuhi Neziri, si dhe bartësi i listës për këshilltarë Zemri Idrizi, bashkë me deputetë dhe funksionarë të partisë.
Në atmosferë miqësore, përfaqësuesit e AKI-së zhvilluan takime me qytetarët e Përshefcës, Nerashtit, Tearcës dhe Dobroshtit, ku u diskutua për sfidat lokale dhe për vizionin e përbashkët për zhvillimin e komunës.
“Bashkë me qytetarët, për një Tearcë më të mirë” ishte mesazhi që shoqëroi këto takime, duke theksuar frymën e bashkëpunimit dhe unitetit.
Një vend të veçantë zuri edhe takimi me fermerët në Sllatinë, ku kandidati Nazim Taipi prezantoi prioritetet e tij për zhvillimin e bujqësisë. Ai theksoi se bujqësia do të jetë një nga shtyllat kryesore të programit, duke garantuar:
Hapjen e një njësie rajonale për bujqësinë në kuadër të komunës;
Mbështetje teknike nga administrata komunale për informim dhe aplikim në fondet bujqësore;
Krijimin e shoqatës komunale të bujqve, për të nxitur bashkëpunimin dhe qëndrueshmërinë e fermerëve.
Sipas Taipit, këto masa do të forcojnë pozitën e fermerëve dhe do të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të komunës.
Prania e kreut të ASH-së, Arben Taravari, dhe e kryetarit aktual Nuhi Neziri, tregoi përkrahjen e plotë që koalicioni i Aleancës Kombëtare për Integrim gëzon në Tearcë dhe vendosmërinë për të vazhduar rrugën e zhvillimit lokal në bashkëpunim me qytetarët.TS