Murtezani: “Bashkëpunimi i afërt dhe i frytshëm me Austrinë dhe Slloveninë është pjesë e një historie më të gjerë evropiane për progres të përbashkët, stabilitet dhe vlera të përbashkëta”

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot realizoi konferencë të përbashkët për shtyp me ministren Federale për Evropë, integrim dhe familje të Republikës së Austrisë, Kllaudia Pllakollm, dhe me Sekretaren shtetërore për Çështje Evropiane të Republikës së Sllovenisë, Neva Grashiç, në kuadër të vizitës së tyre punuese në Shkup.
Në konferencën për shtyp, ministri Murtezani theksoi bashkëpunimin e afërt dhe miqësor me Austrinë dhe Slloveninë, mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe parimore për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, si dhe përkushtimin e përbashkët për thellimin e partneritetit në kuadër të agjendës evropiane.
Në adresimin e tij, ministri veçanërisht shprehu mirënjohje për solidaritetin dhe ndihmën që të dyja shtetet e ofruan gjatë shuarjes së zjarreve në vendin tonë, duke theksuar se veprimet e tilla paraqesin miqësi të vërtetë në vepër dhe janë shprehje afërsie evropiane dhe uniteti.
Në vazhdim teksti nga deklarata e Ministrit për Çështje Evropiane Orhan Murtezani
E nderuar zonja Pllakollm, e nderuar zonja Grashiç, të nderuar përfaqësues të mediave, zonja dhe zotërinj!
Çdoherë është kënaqësi e veçantë kur në Shkup vijnë miqtë tanë nga Austria dhe Sllovenia – vende me të cilat na lidhin miqësi të sinqerta, partneritete afatgjata dhe afërsi e thellë evropiane. Dhe kur i presim të dyja delegacionet njëkohësisht, kjo merr një simbolikë edhe më të madhe, sepse edhe Austria ashtu edhe Sllovenia gjithmonë kanë qenë mbështetëse të zëshme të perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut, por edhe shembull se si ndërtohen marrëdhëniet e besimit, respektit të ndërsjellë dhe solidaritetit konkret.
Në këtë kontekst, para së gjithash, do të doja të shpreh mirënjohjen e sinqertë për Austrinë dhe Slloveninë për ndihmën që na e ofruan në shuarjen e zjarreve gjatë verave të kaluara. Mbështetja nga ekipet austriake të zjarrfikësve dhe donacioni i automjeteve të specializuara zjarrfikëse nga Provinca e Tirolit është miqësi e vërtetë në vepër. Gjithashtu, jemi thellësisht mirënjohës për reagimin e shpejtë dhe efikas të shërbimeve dhe ekipeve sllovene të cilët ndihmuan gjatë përballimit me stuhinë e flakëve, duke treguar solidaritet të vërtetë evropian dhe afërsi njerëzore në momentet kur më së shumti ishte e nevojshme. Dua ta shfrytëzoj këtë rast, përmes pranisë suaj, zonja Pllakollm dhe zonja Grashiç, të Ju shpreh mirënjohje të thella edhe për popullin slloven dhe atë austriak për solidaritetin e sinqertë dhe afërsinë njerëzore që treguan në ato momente kritike. Ajo gatishmëri për të ndihmuar pa hezitim e tejkalon kornizën e bashkëpunimit institucional – kjo është shprehje e vërtetë e unitetit dhe besimit midis vendeve tona.
Në takimin me ministren Pllakollm dhe sekretaren shtetërore për Çështjet Evropiane Grashiç, biseduam për përforcimin e bashkëpunimit në integrimet evropiane dhe lidhjen institucionale, bashkëpunimin ekonomik, tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e politikave të qëndrueshme në dobi të qytetarëve. Austria dhe Sllovenia janë ndër partnerët tanë më konsekuent dhe mbështetës në procesin e aderimit drejt Bashkimit Evropian, por edhe në përpjekjet që Maqedonia e Veriut të mbetet shtytës i stabilitetit dhe reformave në rajon. Austria, përmes mbështetjes së saj aktive në kuadër të politikës së zgjerimit dhe përmes Agjencisë austriake për zhvillim, është e pranishme në më shumë segmente të proceseve tona reformuese: nga përforcimi i institucioneve dhe sundimi i ligjit, deri te zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit jetësorë. Sllovenia, vendi me të cilin na lidh e kaluara e përbashkët dhe me të cilin kemi një traditë të gjatë miqësie dhe mirëkuptimi reciprok, është gjithashtu aleat i rëndësishëm në transmetimin e përvojave nga negociatat aderuese, në ndihmën teknike, si dhe në zbatimin e projekteve konkrete të mbështetura me mjete zhvillimore sllovene: në energjetikë, digjitalizim, arsim dhe zhvillim ekonomik lokal.
Ky bashkëpunim i frytshëm është pjesë e një historie më të gjerë evropiane për progres të përbashkët, stabilitet dhe vlera të përbashkëta. Jam i bindur se bisedat e sotme do të kontribuojnë për një bashkëpunim edhe më intensiv dhe më të koordinuar në mes tre vendeve, në frymën e agjendës së përbashkët evropiane. Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet partner i përkushtuar dhe i besueshëm, ndërsa ne si Qeveri jemi të vendosur të vazhdojmë me reformat dhe me kontribut aktiv ndaj stabilitetit, solidaritetit dhe unitetit të Bashkimit Evropian.