Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në margjinat e takimit të vendeve pjesëmarrëse në “Procesin Bërdo-Brioni”, zhvilloi takim me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në të cilin përshëndeti progresin e vendit në procesin e integrimit në BE dhe hapjen e klasterit të pestë nga gjithsej gjashtë.

Siç kumtohet nga Kabineti i presidentes Siljanovska-Davkova, në takim u diskutua rrjedha aktuale e negociatave midis Shqipërisë dhe Unionit dhe mënyra e menaxhimit të tyre.

“Presidenti Begaj theksoi se disa nga shtetet anëtare të Unionit duan ta shohin rajonin brenda BE-së shumë shpejt”, theksohet në kumtesë.

Ai shprehu gatishmëri për ndihmë dhe mbështetje në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë, duke shtuar se anëtarësimi në BE garanton sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përforcimin e kapacitetit demokratik.

Në takim u konfirmua nevoja për të nxitur partneritetin e ndërsjellë në një nivel shumëpalësh, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume