“Shkollat tona janë në kushte mizore”, kështu tha Visar Ademi, kandidat për komunën e Gostivarit, ndërkohë që shpalosi programin për arsimin. Ademi tha se do të përmirësohen kushtet në shkolla, që siç tha, janë mesjetare. Tutje, Ademi tha se do të vendosen panele solare, që energjia të mund të shitet, mënyrë kjo që sipas tij, do të gjenerohen të ardhura, ndërkohë që tha se do të sigurohet transport për nxënësit.
“Në çdo shkollë, do të vendosim panele solare që ata të gjenerojnë energji elektrike dhe t’ua shesim shtëpive përreth ose bizneseve që të mund të gjenerojmë të hyra dhe me ato të hyra të investojmë në riparimin, pajisjen e kabineteve apo klasave me pajisje moderne. 8 vite me radhe nuk ka transport të organizuar të nxënësve nga shtëpia deri te shkolla dhe kjo është barrë e madhe financiare për prindërit dhe joproduktivitet se pse ai duhet ta lë vendin e punës për ta çuar fëmijën në shkollë”, tha Ademi.
Iu kundërpërgjigj Valbon Limani, që siç tha, në 5 shkolla janë vendosur fotovoltaik dhe kjo nismë do të vazhdojë edhe në shkollat e tjera.
“Sa i përket transportit publik, gjithmonë ka pasur në komunën e Gostivarit, është evidente. Punojmë në një projekt, që komuna do të mundohet që të krijojë një lloj transporti enkas për nxënësit, por gjithsesi mund të përdoret edhe në dy akse kryesore në qytet, falas për qytetarët”, tha Limani