Kandidat i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për komunën e Çairit, Bujar Osmani shprehu sot tronditjen e tij të thellë pas sulmit të armatosur ndaj Dr. Zekirija Shahinit, mjek specialist i pulmologjisë dhe kandidat dhe bartës liste i AKI-së në Likovë.

Në një reagim në facebook, Osmani bëri të ditur se jeta e Dr. Shahinit është jashtë rrezikut të menjëhershëm dhe se ai po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor. Ai theksoi nevojën për të qëndruar mbi politikën në këto momente të vështira dhe dënoi ashpër dhunën.

“Dhuna, pavarësisht motivit, është sulm ndaj dinjitetit njerëzor dhe ndaj të drejtës së çdo qytetari për të jetuar dhe për të marrë pjesë lirisht në jetën demokratike,” tha Osmani.

Ai bëri thirrje për reagim të shpejtë, transparent dhe të vendosur nga institucionet për zbardhjen e ngjarjes dhe sigurimin e drejtësisë.

Në shenjë solidariteti me Dr. Shahinin dhe për të respektuar seriozitetin e ngjarjes, Osmani njoftoi se aktivitetet publike të planifikuara për sot në Çair janë shtyrë.

“Kjo është një ndalesë nga njerëzia, sepse jeta dhe dinjiteti vijnë gjithmonë para politikës. Le të qëndrojmë të qetë, të bashkuar dhe të denjë”, përfundoi Osmani./TS

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com