Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për Komunën e Tearcës, Nazim Taipi, deklaroi se shumë premtime të bëra ndër vite nuk janë realizuar, ndërsa theksoi se tashmë ka përgatitur një platformë të re zhvillimore, të përpunuar pas shumë bisedave me banorët e komunës informon Tetovasot.
“Sot kemi një platformë të përgjithshme që pasqyron problemet kryesore të Tearcës – ujësjellësin, kanalizimin dhe infrastrukturën. Për fat të keq, mungesa e ujit të pijshëm mbetet një problem serioz, pavarësisht premtimeve që janë bërë në dy dekadat e fundit. Është e dhimbshme që kjo çështje ende nuk ka marrë zgjidhje,” tha Taipi.
Ai shtoi se projektet për ujësjellësin janë të kushtueshme dhe kërkojnë planifikim serioz në bashkëpunim me Zyrën për Zhvillim Lokal. “Dua që kjo zyrë të jetë më e kompletuar, të sigurojë fonde dhe të realizojë projekte konkrete në investime për ujësjellësin. Kam bërë zotimin që gjatë këtij mandati, gjithë zona të mos ketë më probleme me furnizimin me ujë të pijshëm,” theksoi kandidati i AKI-së.
Ndër të tjera, Taipi foli edhe për zgjidhjen e problemit të kanalizimit dhe menaxhimin e mbeturinave, duke theksuar nevojën që komuna të parandalojë krijimin e deponive të egra.
“Sot grumbullimi i mbeturinave bëhet me tenderim, por dua që të fuqizohet Ndërmarrja Publike Komunale (NPK), t’i rriten kompetencat për grumbullim dhe selektim të mbeturinave. Vetëm kështu do të kemi një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm për të gjithë,” përfundoi Taipi.TS
Mgid