Pas barazimit të Zvicrës ndaj Sllovenisë dhe fitores së Kosovës kundër Suedisë, rruga drejt Kupës së Botës po merr një kthesë emocionuese, me një skenar që mund të vendoset në nëntor, madje edhe në një finale të mundshme në Prishtinë.

Barazimi pa gola i Zvicrës ndaj Sllovenisë ka vështirësuar situatën për skuadrën “helvetike”, ndërsa Kosova, me fitoren 1-0 në Goteborg ndaj Suedisë, ka treguar se është një rival i fortë për vendet e kualifikimit, raportojnë mediat zvicerane.

Skenari më i mundshëm është ky: nëse Zvicra nuk fiton ndeshjen e parafundit në shtëpi kundër Suedisë më 15 nëntor dhe Kosova fiton jashtë fushe kundër Sllovenisë, gjithçka mund të vendoset tri ditë më vonë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kjo do të krijonte një finale dramatike, ku ekipet do të luftonin për një vend të çmuar në Kupën e Botës.

Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, e pranon fuqinë e Kosovës, por nuk tregon frikë nëse gjithçka vendoset në ndeshjen e fundit.

“Ne i njohim lojtarët e Kosovës dhe e dimë potencialin e tyre, por nuk kemi frikë nga asnjë kundërshtar. Do të luftojmë me gjithë forcën tonë për të siguruar kualifikimin”, deklaroi ai.

Yakin vlerëson edhe performancën e jashtëzakonshme të Kosovës në shtëpi, pasi skuadra nuk ka humbur për më shumë se një vit në stadiumin e saj, duke krijuar një atmosferë të fortë dhe sfiduese për çdo kundërshtar.

Lojtarët zviceranë e kuptojnë energjinë dhe motivimin që sjell mbështetja e tifozëve kosovarë, veçanërisht në një ndeshje të vendosur në Prishtinë.

Mes tyre është edhe mesfushori Remo Freuler, i cili shpreh dëshirën që kualifikimi të vendoset para udhëtimit të tyre.

“Do të ishte mirë nëse kualifikimi do të ishte i vendosur para udhëtimit tonë për në Prishtinë, por gjithsesi duhet të fokusohemi për të fituar ndeshjen ndaj Suedisë dhe të mos e lëmë rastin në dorë të fatit”, ka thënë Freuler.

Edhe kapiteni Granit Xhaka mbetet realist, duke theksuar se Zvicra e ka në dorë situatën.


“Duhet të ndodhin shumë gjëra që të sigurojmë kualifikimin. Ne kemi shumë cilësi në ekip, por e vetmja mënyrë për të arritur sukses është që të mos e mposhtim vetveten. Duhet të japim 100% në çdo ndeshje dhe të përqendrohemi maksimalisht”, deklaroi mesfushori shqiptar që luan për Zvicrën.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com