Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë për A2 CNN në Shqipëri, ka folur hapur për rrezikun e ndikimit serb dhe rus në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se ky fenomen tashmë është i dokumentuar edhe në raportet zyrtare të Bashkimit Evropian.

“Infiltrimi i ‘Botës Serbe’ në Maqedoni është i pakontestueshëm. Ishin tema që fliteshin në qarqe politike, por tashmë qëndron edhe në rezolutën e Bashkimit Evropian.

Ndodh që një person nga Republika Serpska, që është në listën e zezë amerikane, të vijë në qendër të Shkupit dhe aty të pritet nga kryeministri dhe eksponentë të tjerë të qeverisë. Rastet e tilla janë të shumta dhe përmes tyre shihet qartë ndikimi serb në Maqedoni.

Gjithsesi që Serbia ka ndikim edhe në Kosovë, posaçërisht tek partitë që përfaqësojnë komunitetin serb, i cili nuk përbën më shumë se 4-5% të popullatës atje.

Sa i përket pyetjes se kush qëndron pas Serbisë, është e qartë – pas Aleksandar Vuçiçit qëndron Rusia.

Dhe ky lajm nuk është i mirë, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për maqedonasit, për kombësitë e tjera në rajon dhe për faktorin ndërkombëtar.”

Sipas Taravarit, këto zhvillime kërkojnë vëmendje të shtuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim që Maqedonia e Veriut të mos shndërrohet në terren ndikimi për interesa të huaja që bien ndesh me rrugën euroatlantike të vendit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume