Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Xhezair Shaqiri – Komandant Hoxha, ka reaguar me tone të forta pas zgjedhjeve lokale në Kërçovë, duke dënuar komentet fyese ndaj Fatmir Limanit dhe duke kujtuar kontributin e tij e të familjes së tij në kauzën kombëtare.
Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, Shaqiri shkruan:
“Komente të shumta, banale, të kota e të tepërta. Kërçovën e humbi njera apo tjetra, akuza banale e kurrsesi naive. Në atë moment kur Fatmir Dehari me këmbëngulje insiston postin ta mbajë përgjithmonë si pronë baballëku dhe kandidati i pavarur Shkodran Alili del kundërkandidat i Deharit, po ashtu dhe VLEN del me Fatmir Limanin, sipas banorëve votues shqiptarë e maqedonas, të cilët janë jo larg me numra votash, ka qenë e ditur se si liderët partiakë, po ashtu dhe votuesit me vetëdije e kanë humbur Kërçovën.”
Shaqiri kritikon ashpër ata që e kanë quajtur Fatmir Limanin tradhtar:
“Shoh komente fyese për Fatmir Limanin si fajtor për humbjen e Kërçovës, e shkojnë aq larg këto komente të shumta ku e quajnë tradhtar. Ore ju të cilët të vetmin kontribut e keni me vota dhe komente në Facebook, a e dini që në kohën kur shumica e shqiptarëve kanë pasur libreza të CKSKY, në kohën kur babai i Fatmirit, Beqir Limani – dëshmor, me Fatmirin e familjen e tij kanë bërë aktivitet ilegal shumë të rrezikshëm me dekada?”
Ai kujton historinë e familjes Limani dhe lidhjen e tyre me Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës:
“A e dini që në shtëpinë e Beqir Limanit është mbajtur mbledhja e LPK-së, ku janë marrë vendime për aktivitet ushtarak të UÇK-së para luftës në Kosovë? A e dini se Beqir Limani u vra në pragun e shtëpisë së tij dhe iu zbulua shumë armatim, e po ashtu Fatmiri e pa hasmin duke ia vrarë babën dhe ishte ushtar i UÇK-së së Kosovës?”
Shaqiri rikujton edhe periudhën e burgosjes së Fatmir Limanit:
“A e dini kur unë isha ushtar i UÇK-së në Junik, Gjocaj e Jasiq ’98, Fatmiri po ashtu ishte ushtar i UÇK-së së Kosovës me aktivitet në Maqedoni dhe më në rrezik se unë – me armë në dorë përballë armikut, kurse Fatmiri përballë armikut por pa armë, dhe u burgos e mbajti më shumë se pesë vjet burg. Pas torturave të shumta fizike, që m’i ka treguar dëshmori Qemal Shaqiri, i cili ka qenë i burgosur me Fatmirin më 1998, Fatmiri u lirua pas luftës më 2002.”
Në fund të reagimit, Komandant Hoxha apelon për reflektim dhe maturi:
“O ju hiqa, po heshtni se nuk ju bën nder t’i quani patriotë tradhtarët, e tradhtarët t’i quani patriotë duke i nderuar me vota. Ju që shkruani e ofendoni, bëni një kronologji vetes e familjarëve se çfarë keni kontribuar për kombin, e pastaj shkruani për të tjerët.”