Urim Saliu Tetovasot
Menjëherë pas zgjedhjeve dhe në prag të Kongresit të BDI-së, është momenti më i mirë për reflektim. Ky është një moment i ri, ku partia duhet të analizojë me kujdes arsyet pse rezultatet e fundit lokale nuk ishin të kënaqshme.
Megjithëse rezultati i tyre nuk është ende dramatik, rreziku për rënie ekziston. Çështja kryesore mbetet: A do të hapet partia për njerëz të rinj, të cilët mund të sjellin energji dhe ide të reja? Aktualisht, disa figura janë tejmase të konsumuar politikisht, pa më shumë qëllim se të mbajnë një parti ku kanë qëndruar për shumë vite, duke rrezikuar ta çojnë atë në një dështim të pakthyeshëm.
Ali Ahmeti ka qenë dhe mbetet figura kyçe. Ai ka dhënë kontributin e tij të madh dhe ka bërë BDI-në fituese në shumë beteja politike. Por koha e tij lavdishme ka një kufi: edhe ai ndjehet i lodhur. Momenti i tanishëm kërkon që të heqë ata që nuk kanë më kredit politik dhe që janë thjesht hije të së kaluarës.
Shqiptarët kanë më shumë se kurrë nevojë për një organizim politik të fortë dhe vizionar, sepse sfida me VMRO-në do të jetë shumë e vështirë. VMRO tashmë ka pushtet të fortë dhe është në koalicion me disa parti shqiptare që pranojnë gjithçka. Kjo situatë e imponon opozitën shqiptare të marrë përgjegjësi dhe të krijojë rezistencë politike.
BDI duhet të reflektojë seriozisht, përndryshe përfundimi mund të jetë i pakthyeshëm.