Dje pasdite, nën drejtimin e një prokurori publik nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OJO GOKK), hetuesit e Qendrës Hetimore të kësaj prokurorie dhe oficerë policorë nga njësia OSOSK realizuan një aksion gjatë të cilit u arrestuan pesë persona.

Ekziston dyshim i bazuar se i dyshuari i parë ka kryer vepra penale “Dhënie ryshfeti” dhe “Dhënie shpërblimi për ndikim të paligjshëm”, ndërsa tre persona të tjerë – si ndërmjetës – kanë kryer veprën “Marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm”, dhe një person tjetër ka kryer vepër të zgjatur penale “Marrje ryshfeti”. Prokurori publik ka lëshuar urdhër për fillimin e hetimeve ndaj të gjithë të dyshuarve.

I dyshuari i parë – administrator i një personi juridik – nga fundi i shkurtit të këtij viti deri dje, duke përfituar nga marrëdhënie të vazhdueshme dhe rrethana të përsëritura, në disa raste, drejtpërdrejt ose përmes ndërmjetësve, i ka premtuar dhuratë në para me vlerë të konsiderueshme drejtorit të Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural të RMV-së.

Tre të dyshuarit e tjerë – mes tyre një referent tatimor në Drejtorinë e të Ardhurave Publike (UJP) në Shkup dhe një nëpunës shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave – kanë shfrytëzuar ndikimin dhe pozitën e tyre zyrtare për ta nxitur drejtorin që të kryejë një veprim zyrtar që nuk kishte të drejtë ta kryente.

Konkretisht, megjithëse kompania e të dyshuarit të parë nuk i plotësonte kushtet e përcaktuara në Thirrjen Publike nr. 01/24 për përdorimin e fondeve nga Programi IPARD për Masën 3, drejtori – pas premtimit për dhuratë me vlerë të madhe prej 50 000 eurosh – gjatë ditës së djeshme ka nënshkruar kontratën për përdorimin e fondeve financiare me kompaninë dhe ka marrë një pjesë të parave, 400 euro, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrollit.

Duke vlerësuar se janë përmbushur kushtet për caktimin e masës së paraburgimit, prokurori publik i ka propozuar gjykatësit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup që të caktojë paraburgim për të gjithë të dyshuarit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume