Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka paralajmëruar se kryeqyteti, Teherani, mund të përballet me mungesa të mëdha uji dhe madje mund të detyrohet të evakuohet nëse nuk bie shi së shpejti.
Duke folur gjatë një vizite në qytetin Sanandaj në Iranin perëndimor, Pezeshkian tha se qeveria po përballet me një kombinim krizash ekonomike, mjedisore dhe sociale.
Ai tha se çmimet e larta dhe inflacioni ishin rezultat si i dështimeve të politikave të brendshme ashtu edhe i sanksioneve ndërkombëtare.
“Çmimet e larta dhe inflacioni janë faji si i parlamentit ashtu edhe i qeverisë. Ka përpjekje në proces, por burimet e kufizuara financiare nënkuptojnë se projektet mbeten të papërfunduara”, tha ai.
Duke iu referuar krizës së ujit të shkaktuar nga thatësira, Pezeshkian paralajmëroi se Irani përballet me sfida serioze natyrore, duke përfshirë pakësimin e reshjeve dhe të burimeve ujore.
“Nëse nuk bie shi, do të na duhet të fillojmë të kufizojmë furnizimin me ujë në Teheran muajin tjetër. Nëse thatësira vazhdon, do të na mbarojë uji dhe do të detyrohemi të evakuojmë qytetin”, tha ai.
Presidenti theksoi nevojën urgjente për një menaxhim dhe ruajtje më të mirë të burimeve ujore dhe të energjisë, duke e përshkruar situatën në Teheran si “alarmuese”.
Bëhet e ditur se furnizimi me ujë i Teheranit varet nga pesë diga kryesore, Lar, Mamlu, Amir Kabir, Taleqan dhe Latyan, ku Amir Kabir është më e madhja.
Megjithatë, Irani ka pësuar një rënie të ndjeshme të reshjeve gjatë pesë viteve të fundit, dhe të dhënat meteorologjike tregojnë se reshjet në Teheran këtë vit janë rreth 40% nën mesataret sezonale.
Mungesa e reshjeve, veçanërisht në pranverë dhe verë, ka shkaktuar rënie drastike të niveleve të rezervuarëve, duke ndikuar si në rezervat sipërfaqësore ashtu edhe në ato nëntokësore.
Autoriteti i Ujit i Teheranit paralajmëroi më 20 korrik se rezervuarët që furnizojnë kryeqytetin kishin arritur nivelin e tyre më të ulët në një shekull për shkak të thatësirës së zgjatur.