Shkup, 8 nëntor – Pas njoftimit të Qeverisë se javën e ardhshme do të emërojë ushtrues detyre në komunat që nuk arritën të zgjedhin kryetarë për shkak të mungesës së censit, Partia Liberale Demokratike (LDP) e informoi opinionin se do të kërkojë ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Ndryshimet që LDP do t’i propozojë kanë të bëjnë me atë që kujdestarët e emëruar nga qeveria të mos kenë të drejtë të kandidojnë në zgjedhjet e përsëritura për kryetarë komunash në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Rostushë, si dhe në Qendër Zhupë.

Sipas LDP-së, ky ndryshim synon të parandalojë që ndonjë kandidat të ketë avantazh të padrejtë ndaj të tjerëve dhe të zvogëlojë mundësinë për keqpërdorime ose veprime të pandërgjegjshme nga ana e kujdestarëve gjatë periudhës deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Kjo masë propozohet pas pranimit nga Qeveria të një tjetër iniciative të LDP-së — rikthimit të mundësisë për shkarkim të kryetarëve të komunave përmes referendumit në Ligjin për vetëqeverisje lokale. Ky ligj tashmë është në Kuvend dhe, sipas LDP-së, do t’i japë fund mbrojtjes së funksionarëve joefikasë dhe jotransparentë, pas 30 vitesh nga heqja e referendumit.

Nëse miratohen edhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe vendoset kufizimi që kujdestarët të mos mund të kandidojnë në zgjedhjet e përsëritura në katër komunat ku nuk u arrit censusi në raundin e parë, do të krijohen kushte të drejta për garë politike të ndershme, të lirë nga çdo dyshim për keqpërdorime apo ndikime politike shtesë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume