Prokuroria Themelore Publike ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për organizimin e përleshjes midis qenve dhe për trajtim mizor ndaj kafshëve. Në aktakuzë janë përfshirë një shtetas grek, një shtetas kosovar dhe dy shtetas maqedonas, të cilët do të përgjigjen për veprën penale “vrasje dhe torturë të kafshëve”, në përputhje me nenin 233 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

Sipas aktakuzës së publikuar sot në mëngjes nga Prokuroria, më 1 nëntor në fshatin Cërnec, afër Manastirit, i pandehuri i parë, shtetasi grek dhe njëkohësisht pronar i një qeni të racës pit bull, ka organizuar një luftë kundër një qeni të racës American Staffordshire, që ishte në pronësi të shtetasit kosovar. Lufta është zhvilluar në oborrin e njërit prej të dyshuarve, ku më parë ishte përgatitur një ring i improvizuar.

Gjatë ngjarjes kanë qenë të pranishëm disa persona nga Kosova, Greqia dhe Maqedonia, të cilët janë gjetur në vendngjarje, ndërsa tek ta janë zbuluar para në euro dhe denarë, për të cilat dyshohet se ishin destinuar për bastembi rezultatin e luftës.

“Në luftë, qeni pit bull ka marrë plagë të rënda, me kafshime dhe lëndime në kokë, si dhe shenja të shokut traumatik. Hetimet kanë treguar se në oborr ekzistonte një ring i përgatitur për luftëra mes qenve dhe se më parë aty ishin zhvilluar ngjarje të ngjashme. Gjatë kontrollit janë gjetur edhe ilaçe për trajtimin e kafshëve të lënduara, çka e përforcon dyshimin për veprimtari të organizuar,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore Publike.

Prokurori publik ka kërkuar vazhdimin e arrestit shtëpiak për dy shtetasit maqedonas. Dy shtetasit e huaj janë të pakapshëm për organet e ndjekjes dhe ndodhen në arrati që nga dita e ngjarjes. Nëse ata nuk sigurohen deri në fillimin e procesit gjyqësor, prokuroria ka paralajmëruar se do të propozojë që gjykimi të zhvillohet në mungesë të tyre.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com