Integrimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian mund të përshpejtohet nëse zbatohen reformat dhe miratohen ndryshimet kushtetuese, kështu vlerëson ambasadori i BE-së, Michalis Rokas, për TVM, duke theksuar se momenti gjeopolitik është i favorshëm dhe mundësia për progres është real.

Rokas shpreson që vendi ta shfrytëzojë këtë moment për t’u afruar më shpejt drejt anëtarësimit.

“Prandaj mendoj se procesi do të përshpejtohet më së miri tani me zbatimin e reformave. Pse e them këtë? Sepse, në periudhën e paqëndrueshmërisë gjeopolitike në të cilën gjendemi dhe me të gjitha sfidat me të cilat përballet Evropa, do të jetë shumë e vështirë të vendoset një pengesë e re nëse reformat zbatohen në mënyrë cilësore. Sipas kësaj, dhe të gjithë e dimë, edhe ju shumë mirë, një hap është i nevojshëm: ndryshimet kushtetuese, që pastaj të ecim drejt kapitullit të ri të marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian. Më e rëndësishmja është që ne jemi të përgatitur për këtë. Po presim, dhe së bashku me ju duam të ecim më shpejt drejt integrimeve evropiane. Tani mundësia është reale. Shpresoj se do ta pranojmë dhe do të ecim më shpejt së bashku.” – tha Ambasadori i BE-së në RMV, Michalis Rokas.

Për Maqedoninë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian nënkupton qasje më të hapur drejt fondeve kohezive evropiane.

Rokas thekson se anëtarësimi i Maqedonisë në SEPA është përfitimi më i fundit evropian, që pritet të sjellë rritje ekonomike, ndërsa BE mbetet investitori kryesor në vend.

Ai rikujton se, pas një pritjeje të gjatë, hapja e kapitujve me Brukselin varet nga plotësimi i kushteve të kërkuara.

Tilev: Kemi vazhdimësi në vetë procesin

Ndërohë këshilltari shtetëror në Ministrinë për Çështje Evropiane, Dragan Tilev, vlerëson se integrimi evropian është proces i brendshëm reformash.

Ai thekson se Sllovenia dhe Bullgaria e rritën ndjeshëm Prodhimin e Brendshëm Bruto pas anëtarësimit, ndërsa Maqedonia tashmë eksporton mbi 70% të prodhimit në BE. Megjithëse vendi përballet me kushte politike dhe marrëveshje jo të favorshme, Tilev vlerëson se rruga drejt BE-së mbetet interes i brendshëm dhe strategjik.

“Jo, procesi i integrimit evropian dhe i negociatave të anëtarësimit nuk është çështje e politikës së jashtme, por çështje reformash të brendshme. Sepse të gjitha elementet që lidhen me transpozimin e legjislacionit të BE-së dhe ngritjen e institucioneve nuk janë politikë e jashtme, por politikë e brendshme. Momenti tjetër, që ndoshta kemi mundur ta luajmë shumë më mirë, është sigurimi i vazhdimësisë në vetë procesin. Kam punuar me 18 ministra për çështje evropiane që nga fillimi i karrierës sime dhe disi me çdo qeveri kemi filluar gjithmonë nga e para.” – tha Dragan Tilev, këshilltar shtetëror në Ministrinë për Çështje Evropiane.

Tilev, shtoi se administrata e politizuar ka prodhuar gjyqësor të varur nga partitë, gjë që ka penguar avancimin e reformave.

Ndërkohë, ngërçi në zgjerim i shkaktuar nga bllokadat e disa shteteve anëtare kundrejt Maqedonisë po shkakton reagim të kundërt ndaj vlerave që promovon Brukseli, duke krijuar pakënaqësi te qytetarët dhe duke ulur ndjeshëm mbështetjen për anëtarësimin në BE.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com