Çairi sot u shndërrua në epiqendrën e fuqisë sportive, garës së ndershme dhe pasionit të rinisë. Kampionati i Boksit, i cili bashkon sportistët më të mirë nga e gjithë Maqedonia, nisi me një atmosferë elektrizuese në zemër të komunës, duke e vendosur Çairin sërish në hartën e ngjarjeve të mëdha sportive.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti njëherësh edhe njëri nga liderët e koalicionit qeverisës VLEN e përshkroi këtë ditë si dëshmi të një komuniteti që beson në sport, energji pozitive dhe fitore.
“Çairi është komunë e sportit, e kampionëve dhe e rinisë që zhvillon garë dhe lufton për fitore”, u shpreh Mexhiti, duke vlerësuar organizimin profesional dhe pjesëmarrjen e gjerë të sportistëve nga i gjithë vendi.
Atmosfera e kampionatit ishte mbresëlënëse: tribunat plot, garues të motivuar dhe një publik që përjetoi emocionet e një ngjarjeje të nivelit të lartë. Ky kampionat konfirmon se Çairi nuk është vetëm një komunë e sportit, por edhe një prej motorëve kryesorë të zhvillimit rinor dhe të aktivitetit fizik në vend.
“Jemi krenarë që mikpresim sportistë nga çdo qytet të Maqedonisë, në një ngjarje që promovon garën e ndershme, respektin dhe shpirtin e bashkimit përmes sportit”, theksoi më tej Mexhiti.
Kampionati i Boksit në Çair jo vetëm ngriti pritshmëritë sportive, por dëshmoi se me organizim, vizion dhe mbështetje të duhur, Çairi vazhdon të jetë komunë që frymëzon, udhëheq dhe vendos standarde të reja në sport dhe komunitet.