Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka pritur sot në zyrë kryetarin e sapozgjedhur të Këshillit Komunal, Muhamet Murtezi. Ky takim vjen një ditë pas mbledhjes së parë konstituive, në të cilën Murtezi mori drejtimin e këtij organi përfaqësues.
Nëpërmjet një postimi, kryetari Mexhiti e ka cilësuar këtë moment si një hap të rëndësishëm institucional për Çairin, që shënon fillimin e mandatit të ri të Këshillit Komunal dhe konsolidimin e strukturave përfaqësuese pas zgjedhjeve.
“Sot prita në zyrë kryetarin e sapozgjedhur të Këshillit të Komunës së Çairit, z. Muhamet Murtezi (…). Në takim biseduam për procesin e konstituimit, prioritetet e punës së Këshillit dhe mënyrat për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet ekzekutivit dhe legjislativit lokal, me qëllim rritjen e efikasitetit institucional dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka theksuar se Çairi ka nevojë për institucione që funksionojnë me përgjegjësi, transparencë dhe vizion të përbashkët zhvillimi, duke shtuar se ky do të jetë drejtimi i punës së tij në muajt në vijim.