Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut do të monitorojë procedurat gjyqësore në lidhje me zjarrin tragjik në diskotekën e improvizuar “Puls” në Koçan, në të cilin humbën jetën 63 të rinj dhe u plagosën mbi 200. Gjykata Themelore Penale ka caktuar fillimin e seancës kryesore për 19 nëntor, në sallën e gjyqit të Institucionit Korrektues “Idrizovo”, thotë organizata.
“Aktakuza përfshin 34 individë dhe tre persona juridikë, përfshirë ish-ministra, kryetarë komunash, drejtorë, inspektorë dhe persona përgjegjës në kompani të lidhura me klubin e natës.
Komiteti i Helsinkit rikujton se kohëzgjatja e procedurave për vepra të rënda penale përbën shkelje të së drejtës për një gjykim efektiv, dhe çdo vonesë thellon dhimbjen e familjeve dhe minon besimin e qytetarëve në institucione.
Komiteti u bën thirrje autoriteteve gjyqësore të sigurojnë një procedurë publike, të drejtë dhe të paanshme, llogaridhënie të plotë për të gjithë ata që, me veprimet ose mosveprimet e tyre, kontribuan në tragjedi, dhe mbrojtje të dinjitetit të viktimave dhe familjeve të tyre gjatë procesit”, thonë nga atje.
Nga Komiteti shprein mbështetjen e tij për familjet e të ndjerëve të cilët më 15 nëntor (e shtunë) njoftuan një Marsh për Drejtësi në Shkup, i cili do të fillojë në Sheshin Maqedonia dhe më pas, përmes Kuvendit, do të përfundojë në Gjykatën Themelore Penale.
“Aktivizmi qytetar dhe protesta paqësore janë forma legjitime të shprehjes së pakënaqësisë dhe një kujtesë se drejtësia nuk duhet të vonohet. Ajo duhet të jetë e disponueshme për të gjithë, pavarësisht nga pozicioni dhe ndikimi i të pandehurve”, thuhet në deklaratën e Komitetit të Helsinkit.