Në raportet që Komisioni Evropian i ka për ne, shumë më shpesh është i pranishëm dimensioni politik sesa ai teknik, deklaroi presidentja Gordana Siljanovska-Davkova duke e komentuar Raportin për përparimin e vendit që Komisioni Evropian e prezantoi javën e kaluar. Ajo paralajmëroi se në mbledhjen e Këshillit për Eurointegrime në Kuvend ka ndërmend të paraqitet dhe t’i thotë vërejtjet e saj.
“Teknikisht mund të përparoni, por politikisht mund të jeni të bllokuar, ose vlerësimi teknik ndonjëherë paraqitet përmes prizmit politik. Mendoj se ky elementi i dytë është problematik dhe i diskutueshëm”, tha Gordana Siljanovska Davkova – Presidente.
Në pjesën e gjyqësorit, për të cilin në Raport u theksua drejtpërdrejt se pavarësia financiare është problem në lidhje me realizimin e plotë të pavarësisë, njëkohësisht u theksua edhe se ekzistojnë ndikime mbi gjyqësorin si formë presioni që po ashtu reflektohet në pavarësinë e tij. Prokurori i përgjithshëm shtetëror, Lupço Kocevski, thotë se gjithçka që është përmendur për këtë sektor është në përputhje me realitetin.
“Ajo që ne e kemi thënë dhe unë personalisht e kam theksuar gjatë gjithë kohës – këto janë faktet: mungojnë burime njerëzore, mungojnë materiale, kështu që ajo që e ka konstatuar Komisioni është edhe pikëpamja jonë. Ne punojmë me shërbim prokurorial publik prej një të tretës, që do të thotë rreth 360 të punësuar, ndërsa na duhen rreth 1.126. Vitin e kaluar, 2024, dhe këtë vit 2025, si dhe për vitin e ardhshëm, nga ana e Ministrisë së Financave nuk na lejohet asnjë punësim”, theksoi Lupço Kocevski – Prokuror i Përgjithshëm Shtetëror.