Ronaldo e konfirmon se Botërori i ardhshëm do të jetë i fundit për të

Cristiano Ronaldo ka konfirmuar se Kupa e Botës 2026 do të jetë paraqitja e tij e fundit në turneun më të madh të FIFA-s me Portugalinë.

Ronaldo, i cili ka shënuar 953 gola në karrierën e tij me klube dhe kombëtare, zbuloi gjithashtu se planifikon ta mbyllë karrierën e tij të lavdishme brenda dy viteve të ardhshme.

41-vjeçari ka marrë pjesë në pesë Kupa Bote me Portugalinë, me rezultatin më të mirë në vitin 2006, kur kombëtarja arriti në gjysmëfinale.

Portugalia tashmë është kualifikuar për edicionin e vitit 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe Meksikë, me Ronaldon në prag të thyerjes së disa rekordeve të tjera.

Nëse ai arrin të shënojë në Kupën e Botës së ardhshme, do të bëhej lojtari i dytë më i vjetër që shënon në historinë e turneut, pas Roger Millas (42 vjeç e 39 ditë).

Ronaldo gjithashtu mban rekordin për numrin më të madh të edicioneve të Kupës së Botës ku ka shënuar, pasi ka gjetur rrjetën në të pesë turnetë ku ka luajtur.

Nëse do të shënojë në vitin 2026, ai do të bëhet lojtari i parë në histori që shënon në gjashtë Kupa Bote.

Në një intervistë për “CNN”, kur u pyet nëse Kupa e Botës 2026 do të ishte e fundit për të, Ronaldo tha: “Pa dyshim, po. Do të jem 41 vjeç dhe mendoj se [kjo] do të jetë koha për të mbyllur pjesëmarrjen time në kompeticionet e mëdha”.

Ronaldo ka shënuar tetë gola në 22 paraqitje në Kupat e Botës, një total që tejkalohet vetëm nga Eusebio (nëntë gola) për Portugalinë.

Performanca e tij më e mirë në një turne të vetëm ishte në Rusi 2018, kur shënoi katër gola dhe Portugalia arriti në fazën e 1/8-ve.

Ronaldo (22 ndeshje) mund të kalojë rivalin e tij të madh Lionel Messi (26 ndeshje) për numrin më të madh të ndeshjeve të luajtura në Kupën e Botës. Megjithatë, që kjo të ndodhë, Argjentina duhet të eliminohet që në grupe, ndërsa Portugalia duhet të arrijë në finale.

Ish-ylli i Manchester United, Real Madrid dhe Juventus tha gjithashtu javën e kaluar se do të tërhiqet “së shpejti”, por konfirmoi të martën se kjo ndoshta do të ndodhë “brenda një ose dy vitesh”.

“Të jemi realistë, kur them së shpejti, mendoj për një ose dy vite. Do të jem ende në lojë,” përfundoi Ronaldo.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com