Nënshkruhet marrëveshje për hapjen e përfaqësisë së Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) në Shkup, transmeton Anadolu.
Marrëveshja është nënshkruar midis ministrit të Punëve të Jashtëm dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, dhe Zëvendëspresidentit të BEI, Robert de Groot. Ata u shoqëruan edhe nga kryeministri i vendit Hristijan Mickoski.
Në njoftim nga ministria thuhet se marrëveshja përfaqëson një moment të rëndësishëm në forcimin e mbështetjes për rritjen ekonomike të vendit dhe integrimin në Bashkimin Evropian (BE).
“Që nga pavarësia, BEI ka investuar mbi 1,6 miliard euro në sektorë kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit – infrastrukturë, energji, transport, mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe përmirësimin e standardeve të jetesës përmes modernizimit të shërbimeve publike”, thuhet në njoftimin e ministrisë, duke shtuar:
“Hapja e zyrës përfaqësuese të BEI-së në Shkup do të mundësojë koordinim më të ngushtë, zbatim më efikas të projekteve dhe akses më të madh në mbështetjen teknike dhe financiare të ofruar nga institucionet evropiane”.
Kryediplomati maqedonas Mucunski tha se nga sot, BEI do të jetë edhe më afër institucioneve shtetërore, qeverive lokale dhe kompanive maqedonase, duke i mbështetur ata në zbatimin e investimeve dhe projekteve të tyre zhvillimore.
“Prania më e ngushtë e BEI-së është një sinjal i qartë se vendi ynë po lëviz drejt një ekonomie moderne, evropiane dhe konkurruese – të hapur ndaj investimeve dhe të orientuar drejt rritjes afatgjatë dhe të qëndrueshme”, u shpreh ai.
Zëvendëspresidenti i BEI, Robert de Groot nga ana e tij tha: “Kjo marrëveshje forcon partneritetin tonë dhe riafirmon qëllimet tona të përbashkëta – mbështetjen e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt integrimit në Bashkimin Evropian, përmirësimin e lidhjes rajonale dhe një tranzicion të gjelbër”.
Ambasadori i BE-së, Michalis Rokas, nga ana tjetër, tha se si krahu huadhënës i BE-së, BEI luan një rol kyç në përkthimin e angazhimit evropian për integrimin e Maqedonisë së Veriut në projekte konkrete.