Çdo futbollist ëndërron të luajë në Kampionatin Botëror – ngjarjen më të madhe sportive në botë.
Por me disa ekipe të mëdha që rrezikojnë të mbeten jashtë turneut prestigjioz, shumë yje mund të mos kenë mundësinë të tregojnë aftësitë e tyre në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Më poshtë janë tre futbollistët kryesorë që mund të mos marrin pjesë në Botërorin 2026:
Gianluigi Donnarumma (Itali)
Italia nuk arriti të kualifikohej për Botërorin e kaluar në Katar. Edhe pse këtë herë po zhvillon një fushatë kualifikuese të mirë, ekipi i Gennaro Gattusos aktualisht ndodhet tre pikë prapa Norvegjisë në vendin e dytë. Ata mund të detyrohen të kalojnë nëpër rrugën e rrezikshme të “play-off”-it për të shmangur një tjetër mungesë në turne.
Gianluigi Donnarumma ka bërë një fillim mbresëlënës te Manchester City, duke mbajtur portën e paprekur në katër nga tetë ndeshjet e Premierligës. Portieri italian do të kërkojë të ketë të njëjtin ndikim edhe me kombëtaren, në përballjet kundër Moldavisë dhe Norvegjisë.
Alexander Isak (Suedi)
Alexander Isak nuk ka përmbushur pritjet e tifozëve të Liverpoolit pas transferimit të tij prej 125 milionë paundësh. Ai nuk ka luajtur në pesë ndeshjet e fundit për shkak të një lëndimi në ijë, të pësuar në fitoren e Champions League ndaj Eintracht Frankfurt.
Edhe kombëtarja e Suedisë nuk po kalon momente të mira, pasi shpresat për pjesëmarrje në Botërorin e ardhshëm janë thuajse shuar. Për të mbajtur gjallë mundësinë e “play-off”-it, Suedia duhet të mposhtë Zvicrën dhe Slloveninë në nëntor, ndërkohë që duhet të shpresojë që Kosova t’i humbasë të dyja ndeshjet kundër të njëjtëve kundërshtarë.
Khvicha Kvaratskhelia (Gjeorgji)
Khvicha Kvaratskhelia konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë të krahut në Evropë. Ai ishte pjesë kyçe e skuadrës së Luis Enrique-s te PSG, që fitoi Champions League sezonin e kaluar, duke shënuar edhe në finalen kundër Interit.
Megjithatë, 24-vjeçari ka shumë pak gjasa të marrë pjesë në Botërorin e verës së ardhshme. Shanset e Gjeorgjisë për të zënë vendin e dytë në grup janë minimale, pasi Turqia e Vincenzo Montellës është gjashtë pikë përpara në atë pozitë.