Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur në prag të përballjes vendimtare që Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë nesër ndaj Andorrës, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Në një intervistë për në TV Klan, përcjell Gazeta Express, Duka e cilësoi sfidën si “më të rëndësishmen e edicionit”, duke theksuar se skuadra duhet të jetë maksimalisht e përqendruar për të siguruar tri pikët që mbajnë gjallë shpresën për fazën play-off.

“Kjo përballje është shumë e rëndësishme për objektivat tona. Nuk ka vend për vetëkënaqësi, vetëm për impenjim maksimal dhe për të bërë detyrën,” u shpreh Duka.

Ai shtoi se Andorra nuk është rival i lehtë, duke kujtuar se edhe skuadra si Anglia kanë hasur vështirësi ndaj saj, ndërsa vlerësoi mbështetjen e tifozëve shqiptarë që kanë mbushur stadiumin.

“Tifozët tanë e dinë që nuk ka ndeshje të lehta, por janë gjithmonë pranë Kombëtares për ta çuar drejt fitores,” tha kreu i FSHF-së.

Duka shtoi se objektivi është që kualifikimi të mbyllet në Andorra, në mënyrë që ndeshja e fundit ndaj Anglisë në “Air Albania” të jetë “një ndeshje luksi” për kuqezinjtë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume