Këshilltari komunal i Tetovës nga iniciativa “Më Mirë për Tetovën”, Agron Arifi, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare për sqarim kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, lidhur me vendosjen e një barakeje (kiosku) në afërsi të Xhamisë së Pashës (Xhamia e Larme), një nga monumentet më të rëndësishme kulturore dhe historike të qytetit informon Tetovasot .

Në kërkesën e tij, Arifi thekson se më herët ka kërkuar informacione për punimet në parkun pranë Xhamisë së Pashës, ku ishin shtruar pllaka bekatoni në një hapësirë prej 6 me 4 metra, dhe se Komuna i kishte kthyer përgjigje më 6 tetor 2025, duke sqaruar se bëhej fjalë për pajisje urbane në përputhje me programin komunal dhe me leje të lëshuar më 18 gusht 2025.

Megjithatë, pas përfundimit të zgjedhjeve, sipas Arifit, në të njëjtin vend është vendosur një objekt i mbyllur në formë kontejneri, i cili, siç thekson ai, “e shëmton hapësirën dhe pengon pamjen e Xhamisë së Pashës”, duke e konsideruar këtë veprim mashtrim institucional dhe shkelje të besimit publik.

“Në përgjigjen zyrtare të komunës ishte theksuar qartë se nuk do të vendosej asnjë barakë në atë hapësirë, por sot kemi një objekt që jo vetëm nuk përputhet me kriteret urbane e estetike, por edhe bie ndesh me statusin e monumentit kulturor,” – shkruan Arifi.

Ai kërkon që Komuna e Tetovës të japë menjëherë sqarime publike dhe të dërgojë Inspektoratin e Ndërtimit për të konstatuar nëse objekti është vendosur në përputhje me lejen e lëshuar. Po ashtu, kërkon kopjen e lejes me nr. 11-3583/4, datë 18.08.2025, si dhe të sqarohet nëse për këtë vendosje është marrë pëlqim nga Ministria e Kulturës dhe Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, duke qenë se zona konsiderohet lokalitet kulturor-historik.

“Nëse kjo çështje nuk sqarohet me transparencë, dokumentet do t’i bëhen publike për qytetarët, në mënyrë që vetë ata të vlerësojnë shkallën e mashtrimit,” – thuhet më tej në reagimin e këshilltarit komunal.

Arifi thekson se ky veprim ka shkaktuar indinjatë dhe pakënaqësi te qytetarët e Tetovës, të cilët e konsiderojnë Xhaminë e Pashës si një nga simbolet kryesore të qytetit.Tetovasot

Reagimi i plotë:

KËRKESË PËR SQARIM DHE INFORMATË

I nderuar Kryetar i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami,

Po ju drejtohem lidhur me ngjarjen e fundit që ka të bëjë me vendosjen e barakës/kioskut në afërsi të objektit më përfaqësues dhe më të çmuar në Tetovë, monumentit kulturor-historik Xhamia e Pashës.

Më datë 30.09.2025 iu drejtova Komunës me kërkesë për të marrë informata se çfarë po ndodh në parkun pranë Xhamisë së Pashës, ku ishin kryer punime për shtrimin e pllakave të bekatonit në një hapësirë me dimensione 6.0 x 4.0 m.

Mora përgjigje me nr. 22-380, më datë 06.10.2025, me të cilën më njoftuat se jeni në dijeni për punimet dhe aktivitetet e kryera dhe gjithashtu më njoftuat se keni lëshuar leje me nr. 11-3583/4, më datë 18.08.2025, për vendosjen e pajisjeve urbane në përputhje me programin e miratuar nga Këshilli i Komunës. Më vonë, pas reagimit dhe konferencës për shtyp të mbajtur nga Më Mirë për Tetovën, në atë vend u vendosën tre ulëse të vjetra.

Në përgjigjen tuaj, gjithashtu keni potencuar se parku pranë Xhamisë së Pashës paraqet lokalitet kulturor-historik dhe bën pjesë në programin për mbrojtjen e hapësirave publike!!
A në këtë mënyrë mbrohet kjo hapësirë?

Gjithashtu, në përgjigjen tuaj keni njoftuar se investitor është Bashkësia Fetare Islame (BFI), e cila është edhe bartëse e lejes.
Si është e mundur që bartëse e lejes dhe investitor të jetë BFI-ja, kur parku është hapësirë publike e qytetit?

Megjithatë, dje, në mes të ditës, pikërisht në atë hapësirë ku ishin të vendosura ato tre ulëse, u vendos një objekt/kiosk në formë kontejneri, i cili në masë të madhe e devalvon dhe e shëmton hapësirën ku është vendosur, veçanërisht duke bllokuar pamjen dhe degraduar vlerat e Xhamisë së Pashës.

Megjithëse në përgjigjen tuaj zyrtare të datës 06.10.2025 na siguruat qartë se nuk do të ndërtohej asnjë barakë në hapësirën mbi bekatonet e vendosura në parkun pranë Xhamisë së Pashës, sot, pas përfundimit të zgjedhjeve, në të njëjtin vend është vendosur baraka në fjalë.
Kjo situatë përbën mashtrim të hapur ndaj qytetarëve dhe shkelje të besimit publik.

Kemi në posedim dokumentin tuaj zyrtar e cila dëshmon qartë mospërputhjen midis deklaratës suaj dhe veprimit të ndërmarrë.
Nëse kjo çështje nuk sqarohet urgjentisht dhe me transparencë, kjo letër do t’i bëhet publike opinionit qytetar, në mënyrë që vetë qytetarët të vlerësojnë shkallën e këtij mashtrimi institucional.

Sipas Ligjit për Ndërtim, objekti/kiosku nuk paraqet pajisje urbane, dhe është e pakuptueshme se si mund të vendoset aty, në afërsi të Xhamisë së Pashës, pa asnjë kriter hapësinor, estetik apo ligjor.

A keni leje me shrkim nga Drejtoria për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore dhe Ministria e Kulturës për këtë veprim?
Meqë Xhamia e Pashës paraqet monument kulturor-historik, a janë konsultuar këto institucione për këtë çështje?
A është marrë mendim prej tyre për vendosjen e barakës/kioskut në atë hapësirë?
Ose, ndoshta baraka/kiosku nuk ka asnjë leje për vendosje?

Duke shprehur indinjatën time të thellë, por edhe të qytetarëve të revoltuar për këtë ngjarje, kërkoj nga ju dhe nga Komuna e Tetovës që me urgjencë të më përgjigjeni në pyetjet e parashtruara.
Unë, si këshilltar i zgjedhur në Këshillin e Komunës së Tetovës, kam detyrim të mbroj interesin e qytetarëve dhe të kundërshtoj çdo dukuri devijante. Ky veprim ka shkaktuar indinjatë dhe pakënaqësi të madhe te të gjithë qytetarët e Tetovës, të cilët krenohen me Xhaminë e Pashës si monument dhe shenjë identifikuese e qytetit.

Në përputhje me të gjitha që u cekën më sipër, kërkoj nga ju që të na dërgoni një kopje të lejes për vendosjen e pajisjeve urbane, me nr. 11-3583/4, datë 18.08.2025, pasi situata aktuale është konfuze.

Gjithashtu kërkoj nga ju të urdhëroni Inspektoratin e Ndërtimit të dalë në vendngjarje dhe të konstatojë nëse objekti/kiosku që është vendosur aty është në përputhje me lejen për vendosje të pajisjeve urbane të lëshuar nga ana juaj me nr. 11-3583/4, datë 18.08.2025.

Për të gjitha çështjet e përmendura më sipër, pres përgjigje me shkrim në një afat sa më të shkurtër.

13.11.2025 Tetovë
Agron Arifi – Këshilltar komunal i Tetovës

Baraka tek Xhamia e Larme, reagon këshilltari i MMPT

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com