“Zoti Kryeministër, prej një kohe të gjatë komentet tuaja ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit e kanë kaluar kufirin e sjelljes së mirë dhe janë shndërruar në sulme të paargumentuara dhe të përgjithësuara. Kritika është e mirëpritur vetëm kur jepen vërejtje konkrete dhe propozime të qarta për zgjidhjen e problemeve. Kritika e paargumentuar tregon se nuk ka synim të ndërmerret asgjë për përmirësimin e gjendjes, por fajësia për apatinë e përgjithshme shoqërore hidhet mbi gjyqtarët”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor, Gjykatës Supreme dhe Shoqatës së Gjyqtarëve.
Aty theksohet: “Sistemi gjyqësor asnjëherë nuk ka gjeneruar borxhe, prandaj nuk është e qartë se çfarë lidhjeje ka gjyqësori me borxhin shtetëror prej 2 miliardë eurosh, i cili pa asnjë dilemë është pasojë e huamarrjeve të vazhdueshme të pushtetit ekzekutiv, në të kaluarën dhe tani. Përkundrazi, gjykatat përmes mbledhjes së tarifave dhe gjobave prej vitesh e mbushin arken e shtetit, ndërsa në këmbim nuk marrin asnjë investim nga Buxheti – as për punësime të reja, as për digjitalizim, as për pajisje në sallat e gjyqit.”
“Raporti i fundit i Komisionit Evropian thekson qartë se problemi më i madh në gjyqësor është pavarësia e gjyqtarëve, e cila është minuar nga ndërhyrjet e vazhdueshme të pushtetit ekzekutiv dhe atij ligjvënës. Si problem kyç është theksuar edhe varësia financiare e gjyqësorit nga buxheti i shtetit, dhe në këtë kuptim pagat e gjyqtarëve janë vetëm një segment i kësaj varësie. Këto janë probleme që shteti duhet t’i zgjidhë, sepse janë thelbësore për perspektivën evropiane të vendit.
Me komentet tuaja të deritanishme po e cenoni parimin demokratik të barazisë së tre pushteteve – gjyqësor, legjislativ dhe ekzekutiv. Pushteti gjyqësor është kategori kushtetuese, ndërsa Kushtetuta dhe pavarësia e tij duhet të respektohen”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor, Gjykatës Supreme dhe Shoqatës së Gjyqtarëve.