Unioni i Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashit, lidhur me caktimin e datës së përsëritjes së zgjedhjeve lokale në katër komuna të vendit, përfshirë edhe komunën e Gostivarit.

Në kërkesë theksohet se mosarritja e censusit në procesin e kaluar zgjedhor ka dëshmuar rëndësinë e daljes sa më të madhe të qytetarëve në votime, në mënyrë që kryetari i komunës të zgjidhet me legjitimitet dhe pjesëmarrje të gjerë.

Duke pasur parasysh se në media është përmendur data 11 janar 2026 si datë potenciale për zgjedhjet e përsëritura, Unioni vlerëson se kjo datë nuk është më e përshtatshmja për qytetarët e Gostivarit, veçanërisht për mërgatën që gjatë muajit dhjetor kthehet në vendlindje në numër të madh.

Për këtë arsye, Unioni i Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim ka propozuar që zgjedhjet lokale të përsëritura në Gostivar të mbahen më 28 dhjetor 2025, datë e cila, sipas tyre, do të mundësonte pjesëmarrje më të gjerë të qytetarëve dhe mërgatës.

Në njoftim, Unioni shpreh besimin se Kryetari i Kuvendit do ta kuptojë drejt këtë iniciativë, e cila synon rritjen e përfshirjes qytetare dhe krijimin e kushteve që edhe mërgata – si pjesë e rëndësishme dhe aktive e komunitetit gostivaras – të marrë pjesë në vendimmarrjen për kryetarin e ri të komunës.

Kërkesa është nënshkruar nga Kryesia e Unionit të Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim dhe mban datën 13 nëntor 2025.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume