Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti sot vizitoi Manastirin me rastin e festës së 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një mesazh të publikuar me rastin e 117-vjetorit të Kongresit të Manastirit, ka theksuar rëndësinë historike dhe politike të njësimit të shkrimit të gjuhës shqipe, duke e cilësuar atë themelin e bashkimit kombëtar përtej ndarjeve të çdo natyre.

Kurti kujtoi se përpjekjet për standardizimin e shqipes, nga Kongresi i Manastirit më 1908 deri te Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, nuk kanë qenë thjesht praktike, por të lidhura ngushtë me idenë e unitetit kombëtar. Sipas tij, lëvrimi i një gjuhe të njësuar të shkruar ka qenë dhe mbetet kusht për të kapërcyer dallimet politike, krahinore e ideologjike, duke e shndërruar kombin në bashkësi jo vetëm njerëzore, por edhe shpirtërore, përcjell TS.

“Kombi nuk është në të kaluarën; është në të tashmen dhe të ardhmen. Bashkë na bën gjuha si fakt natyror, politikisht bashkë na bën shkrimi i njësuar i saj”, u shpreh Kurti.

Ai theksoi se 22 nëntori, Dita e Alfabetit, është një prej përvjetorëve më kuptimplotë kombëtarë, ndërsa Manastirin e vendosi krah Prizrenit dhe Vlorës si tri pika kyçe të historisë shqiptare. Përkujtimi brenda së njëjtës javë i Kongresit të Manastirit dhe Kuvendit të Vlorës, sipas Kurtit, lidh gjuhën dhe kulturën me idealin e lirisë dhe vetëvendosjes.

Në fund, kryeministri uroi: “Gëzuar 117-vjetori i Kongresit të Alfabetit!”, duke përcjellë mesazhin për ruajtjen dhe përjetësimin e njësimit e zhvillimit të shqiptarëve./TS

 

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com