Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka qenë nikoqir i manifestimit qendror të mbajtur sot në Manastir me rastin e 117-vjetorit të alfabetit të gjuhës shqipe. Ceremonia u zhvillua në objektin simbolik ku në vitin 1908 delegatët shqiptarë përcaktuan alfabetin e njësuar, duke vendosur një nga themelet më të rëndësishme të identitetit modern kombëtar.

Në aktivitet mori pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe përfaqësues institucionalë nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët, sipas Fetait, dëshmuan se gjuha shqipe mbetet elementi më i fuqishëm i vetëdijes sonë kombëtare. Ai theksoi se gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por orientim historik dhe europian i shqiptarëve, përcjell TS.

Zëvendëskryeministri nënvizoi se detyra e institucioneve të sotme është të forcojnë më tej trashëgiminë e Kongresit të Manastirit përmes arsimit cilësor, kulturës së gjallë dhe përgjegjësisë institucionale.

“Kjo është mënyra më e mirë për të nderuar vizionin e delegatëve të vitit 1908 dhe për të çuar përpara amanetin e tyre,” u shpreh Fetai në përfundim të fjalës së tij./TS

 

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com