Ndërmarrja Publike për Ujë dhe Kanalizim “Sharri” në Tetovë ka njoftuar se nga e hëna, më 1 dhjetor 2025, do të hyjnë në fuqi masa të reja ndëshkuese për të gjithë keqpërdoruesit e ujit dhe personat që kryejnë kyçje ilegale në rrjetin e ujësjellësit.
Sipas njoftimit, çdo lidhje e paligjshme apo formë tjetër e keqpërdorimit të ujit do të sanksionohet në përputhje me ligjin. Janë paraparë këto gjoba:
Për amvisëri dhe persona fizik: nga 500 € deri në 2,000 €
Për biznese, persona juridik dhe ndërtues: gjoba deri në 5,000 €
NPK “Sharri” thekson se në shumë raste është vërejtur ndërhyrje në orëmatësit e ujit. Çdo manipulim i tillë do të trajtohet si shkelje serioze dhe, sipas ndërmarrjes, për të gjithë shkelësit e konstatuar do të bëhet çkyçja e menjëhershme nga rrjeti, pa paralajmërim.
Ndërmarrja kujton se uji është pasuri publike, ndërsa abuzimi me të dëmton qytetarët dhe furnizimin e rregullt. Për këtë arsye, ekipet e NPK
“Sharri” do të realizojnë kontrolle të rregullta në terren dhe do të ndërhyjnë ndaj çdo shkeljeje pa përjashtim.
Gjithashtu, qytetarët që kanë lidhje të paautorizuara ftohen t’i rregullojnë vullnetarisht para se të nisin inspektimet zyrtare. NPK “Sharri” falënderon qytetarët për bashkëpunimin.