Një zbulim i ri tregon se një degë e lashtë e lumit Nil mund të ketë ndihmuar në ndërtimin e piramidave në Egjipt. Dega, tashmë e thatë, kalonte pranë piramidës Giza dhe mund të përdorej për të transportuar gurët dhe materialet e tjera të ndërtimit.
Zbulimi u bë nga Dr. Eman Ghoneim, e cila përdori të dhëna radar satelitore për të studiuar Luginën e Nilit dhe zbuloi një “botë të padukshme informacioni nën sipërfaqe”.
Ajo prezantoi kërkimin e saj në Kongresin e 13-të të Egjiptologëve. Degës së shuar iu vendos emri Ahramat Branch dhe ajo kalonte nga Giza deri në Faiyum, duke kaluar përmes 38 vendndodhjeve të piramidave.
Sipas Ghoneim, gjerësia dhe madhësia e degës ishte jashtëzakonisht e madhe, e barabartë me rrjedhën e sotme të Nilit.
Piramidat ndodhen pikërisht pranë bregut të kësaj dege, gjë që sugjeron se ato mund të kenë funksionuar si porte të lashta ose “tempull-varka” për transportin e gurëve.
Megjithatë, nuk dihet me siguri nëse lumi ishte aktiv rreth 4 700 vjet më parë, gjatë Mbretërive të Vjetra dhe të Mesme.
Ky zbulim mund të ndihmojë jo vetëm për të kuptuar ndërtimin e piramidave, por edhe për të gjetur qytete dhe fshatra të lashta që janë zhdukur me kalimin e kohës, pasi degët e lumit kanë ndryshuar rrjedhën natyrale.
Ghoneim tha se “qytetet e lashta egjiptiane u mbuluan nga sedimentet dhe ende nuk dimë ku t’i gjejmë”.