Mickoski: Fokusi kryesor për vitin e ardhshëm do të jenë investimet kapitale dhe ato të jenë shtytës i ekonomisë, qëllimi është të arrijmë rritje të BPV-së prej mbi 4%
Kryeministri Hristijan Mickoski në seancën e sotme në Kuvend për pyetjet e deputetëve theksoi se për vitin e ardhshëm fokusi kryesor i qeverisë do të jenë investimet kapitale dhe pritet që ato të jenë shtytësi kryesor i ekonomisë, ashtu siç ishte edhe këtë vit, duke theksuar se nga 3% kemi arritur në 3,4% të BPV-së, ndërsa për tremujorin e tretë pritet edhe më shumë duke pasur parasysh se vetëm në ndërtimtari ka rritje prej mbi 34% në realizimin e investimeve si të atyre kapitale ashtu edhe të investimeve private në tremujorin e tretë.
“Qëllimi ynë është të arrijmë rritje reale të BPV-së prej 4% e më shumë në kushte të një krize të këtillë, sidomos në industrinë automobilistike dhe në kushte të konstelacioneve gjeostrategjike politike jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë, si dhe të arrijmë rritje nominale të BPV-së ndërmjet 7,5% dhe 8%, që tashmë po e bëjmë, pasi në tremujorin e parë ishte 7,5%, në të dytin 7,8%. Kjo është ajo që paraqet ambicien tonë në këtë periudhë dhe që në këto kushte t’i ulim edhe borxhin publik edhe borxhin shtetëror”, theksoi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski shtoi se nëse e shikojmë vitin 2025 dhe vlerën e shtuar që krijojmë në ekonomi dhe e krahasojmë me huamarrjet, do të vërejmë se raporti është 2 me 1 dhe për këtë arsye, kur pyesin se si është borxhi publik dhe shtetëror, përgjigjja është se i pari është për gati 2,8% dhe i dyti për 3,5% më i ulët se sa ai që ka qenë në fund të vitit 2024.
“Nëse krahasojmë me shtatë vitet e LSDM-së dhe BDI-së, do të vëreni se huamarrja ka qenë më e madhe sesa vlera e shtuar e krijuar në ekonomi. Kjo do të thotë se kanë marrë hua, por nuk kanë krijuar vlerë, ndërsa ne këtë vit krijojmë dyfish më shumë vlerë sesa e ngarkojmë shtetin me hua. Kjo qeveri kujdeset në mënyrë të përgjegjshme për paratë e popullit dhe di t’i planifikojë ato ashtu siç duhet, t’i shpërndajë dhe t’i investojë ato në mënyrë të duhur ashtu që qytetarët të ndiejnë se diçka e mirë po ndodh në shtet krahasuar me atë se si ka qenë sipas parimit “si deri tani”. Dhe asnjëhetë nuk do ta mësojnë mësimin, i dëgjoj mesazhet e tyre, diskutimet këtu dhe kuptoj se nuk duan ta mësojnë. Flasin një gjë, ndihen komod këtu në Parlament, një pakicë ndihet mirë pa marrë parasysh si është gjendja në shtet dhe çfarë përgjegjësie kanë që ulen në këto banka deputetësh”, theksoi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi se synimi kryesor i Qeverisë është realizimi i investimeve kapitale dhe në atë drejtim, ai theksoi se të gjitha investimet kapitale që janë pjesë e komunave dhe financohen nga qeveria qendrore, ndërsa vëllimi i përgjithshëm i tyre, nëse u shtohen edhe programet përmes ministrive, arrin në shifrën prej gjysmë miliardë eurosh, duke shtuar se një pjesë janë tashmë të përfunduara, një pjesë në fazë realizimi dhe se ai pret që rreth 75% deri në 80% e këtyre investimeve kapitale të jenë gati.
“Pres të jemi drejt përfundimit të autostradës Kërçovë-Ohër, në fazën përfundimtare ose më së voni deri në tremujorin e parë të vitit 2027. Kemi një problem të vogël me projektimin e pjerrësive që duhet të stabilizojnë tokën për të mos pasur rrëshqitje dhe incidente. Jemi në kontakt me zëvendëskryeministrin dhe jemi shumë të rreptë me kompaninë që po luan me durimin dhe mendoj se duhet të ndalojnë së bëri lojëra dhe ta përfundojnë atë që është dashur ta përfundojnë në shkurt, pastaj u shty në tetor dhe tani përsëri kërkojnë afat deri në shkurt. Po punojmë intensivisht në realizimin e korridoreve 8 dhe 10D, pres të kemi përparim të madh, pres përfundimin e realizimit të projekteve kapitale në segmente të tjera dhe fillimin e të rejave”, deklaroi Mickoski.