Policia malazeze ka goditur një rrjet mercenarësh që kishin luftuar për Rusinë në Ukrainë.

Sipas raporteve nga mediat lokale në Podgoricë, është arrestuar Danko Saviq, një shtetas i Bosnjës dhe Hercegovinës me banim të përhershëm në Mal të Zi, i cili kishte një milion e gjysmë euro në llogarinë e tij, të cilat, sipas policisë, i kishte fituar gjatë shërbimit në forcat ruse.

Saviq u arrestua si pjesë e operacionit të koduar “Lugansk”. Gjatë kontrollit në banesën dhe ambientet e tjera që përdorte, policia sekuestronte 12.2 kilogramë eksplozivë. Operacioni ka përfshirë deri tani 12 persona dhe 13 kontrollime në lokacione në Danilovgrad, Nikshiq dhe Podgoricë.


Policia njoftoi se janë sekuestruar gjithsej 24 armë zjarri, mbi 1000 fishekë, disa korniza, nëntë thika, shpata dhe bajoneta, si dhe uniforma, flamuj dhe shenja të tjera dalluese të grupeve kriminale dhe organizatave.

Midis sendeve të konfiskuara ishin edhe jelekë antiplumb, helmeta, pajisje komunikimi, karta SIM dhe karta identiteti të “Vëllazërisë Kozake Malazeze”, shpesh me emra të ndryshëm.

Sipas policisë, provat tregojnë se Saviq kishte shërbyer në strukturat ushtarake të huaja të Federatës Ruse në Luhansk nga fillimi i vitit 2023 deri në fillim të vitit 2025. Dyshohet se ai ishte motivuar kryesisht nga përfitimi financiar dhe gjatë kësaj periudhe fitoi 1.5 milion euro.

Ky nuk është rasti i parë kur Saviq bie në shënjestër të autoriteteve; në qershor 2025, ai u arrestua pasi në shtëpinë e tij u gjetën 12 kilogramë eksplozivë të paketuar si rrip, dhe më pas kundër tij u ngrit padi për posedim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve shpërthyese.

Mediat raportuan më parë se Savić ishte ish-anëtar i Ushtrisë Jugosllave dhe kishte deklaruar publikisht veten si ataman, ose komandant kozak, duke u lidhur me “Ushtrinë Kozake të Ballkanit”, një organizatë e dyshuar se ka lidhje me Ushtrinë Qendrore Kozake të Rusisë, e afërt me presidentin Vladimir Putin.

Televizioni malazez njoftoi se operacioni “Lugansk” u koordinua me shërbimet e inteligjencës së dy shteteve anëtare të NATO-s. Kontrollimet u fokusuan mbi persona që janë pjesë e “Ushtrisë së Kozakëve të Ballkanit”, “Vëllazërisë Malazezo-Kozake” dhe organizatës “Ujqërit e Natës”.

Media kujton gjithashtu se këto organizata kanë lidhje me Kishën Ortodokse Serbe, lidhje kjo e vënë në dukje gjatë fronëzimit të Mitropolitit të KOS-it në Mal të Zi, Joanikij Mićoviq, më 5 shtator 2021, ku anëtarët e këtyre grupeve siguruan manastirin në Cetinje gjatë ceremonisë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com