Në komunën Qendër është arritur çmimi më i lartë për shitjen e një banese në gjysmën e parë të këtij viti, prej 2.857 euro për metër katror, ku për 105 metra katrorë janë paguar 300 mijë euro. Në këtë komunë të Shkupit është shitur edhe shtëpia më e shtrenjtë në atë periudhë, për 1.150.000 euro, të paguara për 373 metra katrorë sipërfaqe banimi dhe 1357 metra katrorë tokë.

Sipas të dhënave nga Regjistri i Çmimeve dhe Qirasë për gjysmën e parë të vitit, të publikuara sot nga Agjencia për Kadastër të Patundshmërive, hapësira më e shtrenjtë afariste e shitur në këtë periudhë është në Qendër, prej 3131 metrash katrorë, për çmimin prej 6.800.000 eurosh. Objekti industrial më i shtrenjtë ka qenë në komunën Ilinden, për të cilin janë paguar 190.130.726 denarë, ndërsa garazhi më i shtrenjtë është shitur në Aerodrom, ku për 24 metra katrorë janë paguar 1.854.000 denarë (30,1 mijë euro), ose 77.250 denarë për metër katror.

Rritja më e lartë e çmimeve të banesave të shitura, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, është regjistruar në Ohër – 27 përqind, Qendër – 22 përqind, Tetovë – 22 përqind, Manastir – 20 përqind, ndërsa rritja më e vogël është në Strumicë – 2 përqind, thuhet në raportin e Regjistrit të Çmimeve dhe Qirasë.

Numri më i madh i shitjeve të banesave në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 është në Aerodrom – 189, Çair – 182, Qendër – 181, Karposh – 179, ndërsa vlera më e lartë e përgjithshme e shitjeve të banesave është realizuar në Qendër – 1.261.042 mijë denarë, Aerodrom – 1.193.353 mijë denarë dhe Karposh – 1.064.588 mijë denarë. Çmimi mesatar më i lartë për metër katror është arritur në Qendër – 101,9 mijë denarë, Karposh – 90,9 mijë denarë, Aerodrom – 82 mijë denarë, Kisella Vodë – 79 mijë denarë, Ohër – 77 mijë denarë për metër katror.

Lëvizja e çmimeve krahasuar me gjysmën e parë të vitit paraprak tregon një rritje të numrit të banesave të shitura në Tetovë për 60 përqind, në Veles për 54 përqind dhe në Ohër për 50 përqind, ndërsa rënia më e madhe e numrit të banesave të shitura është në Kumanovë – 16 përqind.

Në Regjistrin e Çmimeve dhe Qirasë nga 1 janari deri më 30 qershor të këtij viti janë regjistruar gjithsej 15.779 transaksione, 8,9 përqind më shumë krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2024, gjë që, sipas Kadastres, mund të lidhet me përmirësimin e kushteve të financimit dhe rritjen e besimit në tregun e patundshmërive.

Në gjysmën e parë të vitit 2025 në Regjistër janë shënuar 8.910 shitje patundshmërish, 1.693 shitje nga investitorë, 439 blerje nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe 63 shitje me ankand, pra gjithsej 11.105 shitje, që tregon një rritje të lehtë prej 4,9 përqind krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2024. Në këtë periudhë janë regjistruar edhe 4.674 qiradhënie në të gjithë territorin e vendit, që paraqet rritje prej 780 qirash ose 20 përqind krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2024.

Tregu i patundshmërive në gjysmën e parë të vitit 2025 është rritur pothuajse 15,5 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ndërsa vlera totale e shitjeve ka arritur 515,9 milionë euro. Të dhënat tregojnë rritjen më të dukshme të aktivitetit financiar në maj, ndërsa më të ulëtën në qershor të vitit 2025. Dy kategoritë dominuese të patundshmërive sipas numrit të shitjeve janë: tokat bujqësore dhe pyjet me 32,8 përqind dhe banesat me 32,5 përqind të numrit të përgjithshëm të shitjeve.

Numri më i madh i shitjeve në gjysmën e parë të vitit 2025 është realizuar në Aerodrom – 562, Gazi Babë – 555 dhe Karposh – 527, ndërsa më i vogli në Butel – 176. Vlera më e lartë e përgjithshme e shitjeve për këtë periudhë është arritur në Qendër – 65,8 milionë euro, Karposh – 56,7 milionë euro dhe Aerodrom – 47,9 milionë euro, ndërsa më e ulëta në Shtip – 10 milionë euro.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, rritja më e madhe e volumit të shitjeve është në Qendër – 32 përqind, ndërsa në Gazi Babë dhe Shtip nga 28 përqind; rënia më e madhe është në Aerodrom – 29 përqind. Në raportimin e vlerës totale të shitjeve krahasuar me vitin paraprak, rritjen më të madhe e ka Kisella Voda me 59 përqind, ndërsa rënien më të madhe e ka Kumanova me 26 përqind.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com