Dogana dhe Regjistri Qendror: Nuk ka më nevojë të shkoni në Doganë për certifikata e borxhit doganor, Regjistri Qendror i merr vetëm me një klik elektronik
Certifikatat e printuara për borxhin doganor, të cilat ishin të nevojshme për regjistrimin dhe ndryshimet e subjekteve juridikë në Regjistrin Qendror, janë bërë e kaluar. Regjistri Qendror tani i merr këto të dhëna nga Drejtoria e Doganave elektronisht në kohë reale, që për bizneset dhe qytetarët do të thotë kursim të kohës dhe burimeve. Po ashtu, në këtë mënyrë sigurojmë sigurinë, integritetin dhe saktësinë e të dhënave të siguruara, duke vepruar në drejtim të parandalimit të mashtrimeve të mundshme. Këtë e theksoi drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski, në një konferencë të përbashkët shtypi me drejtoreshën e Regjistrit Qendror, Anita Stamnova, ku u promovua kjo risi në praktikën e punës.
Në bazë vjetore, mesatarisht lëshoheshin nga shtatë deri në nëntë mijë certifikata të printuara për borxhin doganor. Kjo nënkupton pesë deri në dhjetë ditë për procesimin e çdo kërkese, që për bizneset dhe qytetarët në të gjithë vendin përbënte një ngarkesë administrative. Tani, qytetarët nuk do të kenë më nevojë të shkojnë personalisht në administratën qendrore në Shkup, ose të angazhojnë avokatë që t’u kryejnë këto shërbime në emër të tyre dhe me shpenzimet e tyre.
„Me këtë hap, qartë po tregojmë angazhimin tonë për krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e biznesit, përmes uljes së procedurave burokratike dhe rritjes së efikasitetit të administratës, si një nga premtimet kryesore para komunitetit të biznesit“, theksoi Nikollovski. „Biznesi nuk ka kohë për të pritur, dhe ne si institucione jemi të detyruar dhe qartë po tregojmë përpjekjet tona për krijimin e një shoqërie të qëndrueshme, ku rritja ekonomike do të nxisë efikasitetin e shtuar dhe besimin në sistem“, theksoi ai.
Drejtoresha e Regjistrit Qendror, Anita Stamnova, tha se faza e parë e projektit për përmirësimin e Sistemit të One-Stop-Shop është mbyllur me sukses, duke siguruar dëshmi për pagesat e detyrimeve doganore sipas detyrës zyrtare në procedurat për regjistrimin e ndryshimeve – transferimi i aksioneve.
„Regjistri Qendror dhe Drejtoria e Doganave mbeten të përkushtuara në transformimin e shërbimeve me fokus te përdoruesit dhe nevojat e tyre, duke përdorur teknologji moderne digjitale për mundësimin e shërbimeve më të thjeshta dhe më efikase. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të zhvillojmë shërbimet tona dhe inkurajojmë të gjitha palët që ofrojnë shërbime publike për bizneset dhe qytetarët të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për implementimin e shërbimeve elektronike më efikase, domethënë ndërtimin e një sistemi funksional të shërbimeve publike si bazë për rivendosjen e besimit në institucionet e shtetit tonë“, theksoi drejtoresha e Regjistrit Qendror, Anita Stamnova.