Ylli i Barcelonës, Pedri, ka shkruar emrin e tij në historinë e klubit katalanas gjatë ndeshjes së së shtunës ndaj Osasunës në kuadër të La Ligës.
Mesfushori spanjoll ishte titullar në formacionin e trajnerit Hansi Flick, duke zënë një rol kyç në mesfushën e Barcelonës, teksa skuadra synonte të zgjerojë epërsinë në krye të tabelës së kampionatit.
Me këtë paraqitje, Pedri arriti një moment historik personal dhe të klubit. Sipas statistikave të publikuara nga Opta, ai është bërë lojtari më i ri në historinë e Barcelonës që ka regjistruar 150 paraqitje në La Liga.
Pedri e arriti këtë shifër në moshën 23 vjeç e 18 ditë, duke thyer rekordin e mëparshëm që mbahej nga legjenda e klubit, Lionel Messi.
Ky sukses konfirmon edhe një herë rëndësinë dhe peshën që Pedri ka në projektin afatgjatë të Barcelonës, duke u shndërruar në një nga figurat kryesore të së tashmes dhe së ardhmes së klubit blaugrana.