Pronari i kompanisë “Ecolog”, Lazim Destani, priti dje në zyrat qendrore të kompanisë në Tetovë ish-presidentin e Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani, i shoqëruar nga i biri, Denion Meidani, ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut.

Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore, ku bashkëbiseduesit ndanë kujtime dhe reflektime nga takimet e mëhershme, duke riafirmuar respektin dhe vlerësimin e ndërsjellë.

Me këtë rast, Destani vlerësoi figurën e presidentit Meidani si një personalitet kombëtar me kontribut të shtrirë në të gjithë hapësirën shqiptare. Krahas rolit të tij të rëndësishëm në zhvillimin e demokracisë dhe udhëheqjen e shtetit shqiptar, Meidani është vlerësuar edhe për kontributin e tij të çmuar akademik, veçanërisht në ngritjen dhe zhvillimin e Universitetit të Tetovës, si dhe më herët në themelimin dhe konsolidimin e Universitetit të Prishtinës.

“Përmes bisedave të ngrohta e vëllazërore, çaste të bukura kaluam duke i kujtuar edhe takimet e mëhershme tonat së bashku. Presidenti Meidani është nga ato figura kombëtare që kontributin e tyre e kanë shtrirë në gjithë hapësirën shqiptare. Krahas rolit të tij në zhvillimin e demokracisë dhe udhëheqjes së vendit, ai është ndër ata profesorë që kanë dhënë kontribut të pazëvendësueshëm si në ngritjen e Universitetit të Tetovës ashtu dhe shumë kohë më parë në ngritjen e Universitetit të Prishtinës”, shkroi Destani.

Takimi u cilësua si një moment i veçantë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin shumëdimensional të presidentit Meidani në jetën politike, arsimore dhe kombëtare shqiptare.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume