Lëvizja Arbëria mbajti sonte në Gostivar Kuvendin e parë të saj, duke shënuar një hap të rëndësishëm organizativ dhe politik në konsolidimin e strukturave dhe orientimit të saj programor.

Kuvendi i Lëvizjes Arbëria, i mbledhur në përputhje me Statutin e Lëvizjes, pas shqyrtimit të raportit për aktivitetet ndërmjet dy kuvendeve, analizës së situatës aktuale politike dhe diskutimeve të zhvilluara, në frymën e përgjegjësisë qytetare, interesit kombëtar dhe angazhimit për barazi, drejtësi dhe zhvillim, MIRATON KËTO KONKLUZA: 1. Kuvendi i Lëvizjes Arbëria konfirmon përcaktimin strategjik të shqiptarëve dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian dhe kërkon me urgjencë nga faktori politik maqedonas në pushtet që të zhbllokojë procesin eurointegrues dhe të mundësojë hapjen pa vonesa të kapitujve të negociatave për aderim në BE.

Njëkohësisht, Kuvendi u bën thirrje aleatëve strategjikë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian, që të përdorin autoritetin dhe ndikimin e tyre politik e diplomatik për përshpejtimin e këtij procesi. Faktorit politik shqiptar i bëhet thirrje për unitet, koordinim dhe këmbëngulje në realizimin e këtij objektivi strategjik. 2. Kuvendi i Lëvizjes Arbëria kërkon realizimin e reformave të thella, substanciale dhe të pakthyeshme në sistemin e drejtësisë, me qëllim garantimin e pavarësisë, paanshmërisë dhe barazisë para ligjit. Drejtësia duhet të funksionojë në shërbim të qytetarëve dhe jo si instrument i padrejtësisë apo selektivitetit politik dhe etnik.

Në këtë drejtim, Kuvendi kërkon rishqyrtimin e menjëhershëm të rasteve të montuara politike dhe lirimin e qytetarëve shqiptarë që vuajnë dënime të padrejta, përfshirë rastet e njohura në opinion si “Alfa”, “Monstra” dhe raste të tjera të ngjashme. 3. Kuvendi kërkon nga institucionet shtetërore përgjegjëse ndërmarrjen e masave urgjente për garantimin e sigurisë në institucionet arsimore. Shkollat duhet të depolitizohen dhe të shndërrohen në mjedise të sigurta të dijes, edukimit, socializimit dhe zhvillimit të shëndetshëm të nxënësve, duke parandaluar dhunën, bullizimin dhe çdo formë tjetër të pasigurisë. 4. Kuvendi kërkon veprim të vendosur dhe pa kompromis nga institucionet shtetërore kundër gjuhës së urrejtjes, thirrjeve antishqiptare, ksenofobisë dhe diskriminimit, veçanërisht në evenimente sportive, në hapësirën publike dhe në rrjetet sociale, duke zbatuar ligjin në mënyrë konsekuente. 5. Lëvizja Arbëria angazhohet për hartimin dhe zbatimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për zhvillimin ekonomik të zonave me shumicë shqiptare, me fokus në infrastrukturë, bujqësi, energjetikë, tregti dhe prodhim për eksport. Në këtë proces duhet të shfrytëzohet potenciali i diasporës shqiptare si faktor zhvillimi ekonomik, investimesh dhe lidhjeje me tregjet ndërkombëtare. 6. Lëvizja Arbëria shpreh përkrahjen për partnerët e Koalicionit VLEN në qeveri për realizimin e projekteve strategjike infrastrukturore që lidhin trevat shqiptare, përfshirë Korridorin 8, autostradën Shkup–Bllacë dhe rrugën Tetovë–Prizren. Po ashtu, inkurajohet përmirësimi i performancës edhe në sfera të tjera të qeverisjes, me qëllim arritjen e rezultateve konkrete dhe të matshme në dobi të qytetarëve. Qeverisja duhet të funksionojë si partneritet i barabartë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, në interes të qytetarëve dhe stabilitetit të shtetit. 7. Kuvendi i Lëvizjes Arbëria përgëzon Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Kryeministrin Albin Kurti për përkrahjen institucionale dhe politike ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, si dhe për angazhimin konkret në projekte infrastrukturore me rëndësi strategjike për shqiptarët. 8. Kuvendi i Lëvizjes Arbëria përgëzon Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për përparimin e saj në procesin e integrimit europian dhe për rolin e saj si faktor stabiliteti dhe orientimi euroatlantik në rajon. 9. Lëvizja Arbëria konfirmon se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë e drejtë dhe çlirimtare. Mbajtja në paraburgim e drejtuesve të saj në Hagë vlerësohet si padrejtësi e rëndë, për të cilën kërkohet përfundim i menjëhershëm. Kuvendi përkrah çdo formë proteste qytetare dhe demokratike për këtë qëllim, duke refuzuar çdo keqpërdorim politik të kësaj kauze.

KONKLUZA TË VEÇANTA

1. Kuvendi i Lëvizjes Arbëria përkrah iniciativën për shndërrimin e Koalicionit VLEN në një subjekt të vetëm politik. “VLEN – një parti” paraqet një domosdoshmëri të kohës, e bazuar në një program politik të qartë dhe të detajuar, të orientuar drejt realizimit të aspiratave për liri, barazi, demokraci funksionale, drejtësi dhe mirëqenie ekonomike e sociale. Në këtë kontekst, shqiptarët meritojnë përfaqësim politik përmes një subjekti të fuqishëm, të unifikuar dhe kredibil, i aftë të artikulojë dhe të mbrojë në mënyrë konsekuente interesat e tyre legjitime.

2. Lëvizja Arbëria kërkon që në zgjedhjet e ardhshme dhe në Kodin e Ri Zgjedhor të garantohet e drejta e diasporës për votim me postë, në përputhje me praktikat më të mira europiane dhe modelet e vendeve të rajonit, si Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës dhe Republika e Kroacisë.

3. Lëvizja Arbëria, në parim, e përkrah Ligjin për Përfaqësim të Drejtë, duke paraqitur njëkohësisht sugjerime konkrete për përmirësimin e tij, me qëllim rritjen e cilësisë dhe qartësisë normative, garantimin e zbatimit efektiv dhe realizimin e përfaqësimit të drejtë dhe të barabartë brenda një afati kohor të arsyeshëm. Gjithashtu pati edhe propozim konkluza nga kuvendarët: 1. Kuvendi ngarkon Këshillin Drejtues të Lëvizjes Arbëria që të ndërmarrë veprimet e nevojshme analitike, organizative dhe procedurale për shqyrtimin e shndërrimit të Lëvizjes në subjekt politik, duke e zhvilluar këtë proces me kujdes të veçantë, transparencë dhe përgjegjësi institucionale e kombëtare. Në këtë Kuvend janë zgjedhur njëkohësisht edhe koordinatorët lokalë të Lëvizjes Arbëria: • Tetovë: Adem Terziu • Gostivar: Demir Beqiri • Haraçinë: Llokman Sinani • Dollnen / Krushevë: Miraim Bajrami

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com