Urim Saliu

Kongresi i BDI-së ka përfunduar. Ali Ahmeti do ta drejtojë sërish partinë, por me një risi të madhe, rreth 80 për qind e strukturave do të jenë të rinj. Ky është një guxim i rrallë politik dhe, njëkohësisht, hapje e një faqeje të re në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Pas Kongresit, vetëm dy palë nuk arritën të gëzohen. Të parët janë kundërshtarët politikë, të cilët ndoshta shpresonin që figurat e vjetra të mbeteshin aty, sepse kështu e kishin më të lehtë përballjen politike. Të dytët janë pikërisht disa nga figurat e vjetruara brenda subjektit më të madh shqiptar, të cilat nuk i pritën mirë këto ndryshime të thella.

Në fakt, ky proces duhej të kishte ndodhur shumë më herët, madje edhe para zgjedhjeve lokale. Njerëzit ishin lodhur nga fytyrat e njëjta, nga emra që nuk kishin më çfarë t’i jepnin BDI-së. Por ata që qëndronin prej vitesh në pozita të larta nuk ishin të interesuar të largoheshin, sepse gjithçka që kishin për të marrë nga ky subjekt, tashmë e kishin marrë. Për ta, rënia e rejtingut nuk ishte problem, përderisa emrat e tyre vazhdonin të ishin në kryesi qendrore, në lista deputetësh dhe në pozicione kyçe. Ishte kënaqësia e sëmundjes së postit.

Asnjëherë nuk u pyetën ata që prisnin me vite radhën në BDI, të rinjtë që donin të ishin pjesë e një partie të së ardhmes. Kundërshtarët politikë që për vite me radhë kërkonin “reforma” në BDI, sot vajtojnë po aq sa të larguarit nga Kongresi i kësaj partie. Arsyeja është e qartë: kjo lëvizje ua ka zënë frymën politikës së vjetër dhe ua ka prishur kalkulimet.

Mbrëmjen e Kongresit nuk rreshtën statuset e shumë protagonistëve që e quajtën këtë ndryshim “fasadë”, “antireformë” apo diçka të ngjashme. Por ata e dinë shumë mirë se koha e tyre politike ka përfunduar. Nuk kishin më çfarë t’i ofronin politikës dhe, çuditërisht, tani që nuk janë më në pushtet, nuk kanë as çfarë t’i marrin asaj.

Ali Ahmeti, ndonëse me vonesë, bëri një hap tjetër që për nga guximi i ngjan atij të vitit 2001. Por këtë herë nuk bëhej fjalë për gjeneralin e luftës, por për atë të politikës, që tha “STOP”. Nuk mund të vazhdohet më me politikë të vjetër, me njerëz që e kanë humbur kredibilitetin politik. Nuk mund të ecet përpara kur të njëjtët emra qarkullojnë në lista deputetësh, në kryesi të ngushta partie dhe kudo tjetër, ndërkohë që nuk kanë më as ide, as energji, as vizion.

Pikërisht për shkak të tyre, shumë njerëz që dikur e donin BDI-në, filluan ta urrejnë.

Politika e re, e bazuar në vlerat e të rinjve, do ta çojë BDI-në në nivele të tjera: në një forcë tjetër, në një të ardhme tjetër. Jo vetëm në kuptimin partiak, por edhe për të mirën e përgjithshme. Të rinjtë sjellin energji, ide, guxim dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj shoqërisë. Nëse kjo frymë ruhet dhe zhvillohet, BDI nuk do të jetë më thjesht një parti që mbijeton, por një subjekt që udhëheq, transformon dhe i jep drejtim të ri politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

“Autori është kryeredaktor i portalit TetovaSot”

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com