Ish-ylli i Barcelonës dhe PSG-së pensionohet nga futbolli në moshën 32-vjeçare
Ish-mesfushori i Barcelonës dhe Paris Saint-Germain, Rafinha Alcântara, ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si futbollist në moshën 32-vjeçare, pas më shumë se një viti pa luajtur.
I aktivizuar edhe me kombëtaren e Brazilit, Rafinha kaloi rreth një dekadë duke luajtur në ligat më të forta të Europës.
I vlerësuar lart si produkt i akademisë “La Masia” te Barcelona, Rafinha ndoqi gjurmët e vëllait të tij më të madh, Thiago Alcântara, duke u ngjitur në ekipin e parë që në moshë të re.
Pas një huazimi të suksesshëm te Celta Vigo, ai kaloi katër vite me ekipin e parë të Barcelonës, me periudhën më të mirë nën drejtimin e Luis Enrique.
Rafinha kontribuoi në fitoren historike 6-1 ndaj PSG-së dhe në tripletën e famshme të katalanasve.
Megjithatë, pikërisht kur dukej se mund të luftonte për një vend titullari, karriera e tij u pengua nga një seri dëmtimesh.
Në total, ai zhvilloi 90 ndeshje me Barcelonën, duke shënuar 12 gola dhe dhënë 8 asistime.
Më pas, Rafinha pati disa huazime të shkurtra te Interi dhe një rikthim njësezonal te Celta Vigo, aty ku kishte luajtur edhe babai i tij, ish-reprezentuesi brazilian Mazinho.
Në vitin 2020 ai nënshkroi me Paris Saint-Germain, ku qëndroi për dy sezone, përpara një huazimi të fundit në Spanjë te Real Sociedad.
Pas largimit nga La Real, Rafinha kaloi dy vite në Katar me Al-Arabi, por edhe aty pati vështirësi për të gjetur vazhdimësi.
Pasi u largua si lojtar i lirë në verën e vitit 2024, ai mbeti pa luajtur për rreth 18 muaj.
Më 22 dhjetor, Rafinha publikoi një video lamtumire në “Instagram”, duke konfirmuar tërheqjen nga futbolli.
Në total, Rafinha zhvilloi 358 ndeshje në nivel klubesh, duke shënuar 51 gola dhe dhënë 52 asistime.
Ai regjistroi gjithashtu dy paraqitje me kombëtaren e Brazilit në vitin 2015 dhe fitoi medaljen e artë olimpike në Lojërat Olimpike Rio 2016.
Gjatë karrierës së tij, Rafinha fitoi 15 trofe, ndër të cilët spikasin titulli i Ligue 1, tre tituj të La Ligas, Copa del Rey dhe triumfi në Ligën e Kampionëve në vitin 2015.