Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, e ka cilësuar kandidaturën e Nevzat Bejtës nga koalicioni VLEN për zgjedhjet e përsëritura më 11 janar si një mesazh shumë të keq për qytetarët e Gostivarit. Duke folur në emisionin “Clic Plus” në TV 21, Limani tha se kjo kandidaturë përbën përbuzje jo vetëm ndaj votuesve, por edhe ndaj anëtarëve dhe kandidatëve të vetë koalicionit VLEN.

Sipas Limanit, VLEN ka anashkaluar figura të tjera politike, përfshirë kandidatin e raundit të parë Sebaedin Dauti, si dhe Fadil Xhelilin, i besuari i Qeverisë në komunën e Gostivarit.

“Kandidimi i zotëri Bejta, po të mos ishte qesharak do të ishte tragjik për shoqërinë tonë. Për fat të keq, koalicioni VLEN dhe krerët e tij vendosën që të dërgojnë një mesazh shumë të keq, do të kisha thënë një përbuzje ndaj të gjithë qytetarëve të Gostivarit e mbi të gjitha ndaj anëtarëve të vet koalicionit, por edhe ndaj kandidatëve potencialë, sikurse kandidati në raundin e parë, zotëri Sebaedin Dauti, por edhe zotëri Fadil Xhelili, i cili është i besuari i Qeverisë në komunën e Gostivarit.”


Limani u shpreh kritik edhe ndaj historikut zgjedhor të Nevzat Bejtës, duke theksuar se ai po garon për herë të gjashtë dhe se, sipas tij, në shumicën e rasteve ka pësuar humbje.

“Për zotëri Bejta nuk ka se çfarë të flitet. Paramendoni, garon për të gjashtën herë, prej të cilave praktikisht pesë herë ka humbur. Pse e them ashtu? Sepse në vitin 2005, në raundin e dytë, atë kohë PDSH e ka tërhequr kandidaturën dhe kështu ai e ka fituar mandatin. Më 2009 e ka humbur garën. Në vitin 2013 ka pasur një inxhinjering për të cilin e di i gjithë qyteti se si ka ndodhur. Edhe në vitin 2017, edhe në 2021 gjithashtu ka pësuar disfata. Më tepër se kaq s’ka se çka të flitet. I uroj shëndet dhe sukses në garë, por mendoj se me të do të kemi një teatër, një shou, pasi ai është një personalitet që zbavit masën.”

Në të njëjtën paraqitje televizive, Limani tha se në zgjedhjet e përsëritura më 11 janar pret të konfirmojë rezultatin e raundit të parë të mbajtur më 19 tetor, ku kishte marrë rreth 17 mijë vota, madje duke shprehur bindjen se ky rezultat mund edhe të rritet.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com