Shkruan: Florim Zeqa
Zbrazja enorme e vendit nga popullata shqiptare ka ndikuar në zvogëlimin e elektoratit të partive politike në Kosovë. Duke e vërejtur këtë dukuri të shkaktuar nga politikanët e papërgjegjshëm, të gjitha partitë politike ju kanë kthyer mërgatës për të përfituar sa më shumë elektorat në Diasporë.
Kthimi i partive politike kah mërgata, dëshmi e zbrazjes së Kosovës
Me kthimin e partive politike kah mërgata nuk bëhet fjalë për dashuri dhe respekt ndaj bashkatdhetarëve që jetojnë në shtetet evro-perëndimore, por ky është sinjal dhe alarm se Kosova po shkon drejt boshatisjes totale nga popullata e saj!
Shtrohet pyetja, pse ju kanë kthyer të gjitha partitë politike mërgatës, të cilën e kishin harruar prej vitesh dhe dekadash?!
Arsyeja është e thjeshtë!
Meqënëse, Kosova është zbrazur dhe po vazhdon të zbrazet në vijimësi, të gjitha partitë janë varfëruar me elektorat. Për këtë arsye, partitë politike në përgjithësi dhe pa dallim pushtet dhe opozitë janë mobilizuar si asnjëherë më parë në konsolidimin e degëve të tyre në Diasporë dhe hapjen degëve të reja me qëllim të përfitimit sa më të madh të votës së mërgimtarëve.
Rënja e fuqisë elektorale në Kosovë, i ka detyruar partitë politike të kthehen kah mërgata, kah pjesa më vitale dhe më ekzistenciale e shtetit të Kosovës.
Çfarë kanë bërë partitë politike për mërgatën?
Partitë në këto ditët e fundit para zgjedhjeve u munduan të mbledhin sa më shumë vota dhe simpatizantët që i kanë në diasporë, prandaj janë kthyer kaha “hambari” i madh i votave për fuqizimin dhe rritjen e anëtarësisë së tyre partiake.
E gjithë kjo nuk shkon në të mirën e mërgimtarëve dhe as të qytetarëve të Kosovës, por vetëm në dobi të partive politike dhe grupeve të interesit brenda tyre.
Sikur të ishin parti të përgjegjshme ndaj qytetarëve dhe të respektueshme ndaj mërgimtarëve, paraprakisht do të merreshin me rregullimin e mirëqenjes së qytetarëve dhe trajtimin dinjitoz të mërgimtarëve, me përfshirjen e tyre në vendimarrje, përkatësisht me sigurimin e vendeve të rezervuara në Parlament, për faktin se të hyrat (remitencat) e mërgimtarëve në Kosovë janë më të mëdha sesa krejt buxheti i shtetit të Kosovës!
Mërgimtarët u shfrytëzuan “mish për topa” nga të gjitha pushtetet e deritanishme
Deri më sot asnjë subjekti politik nuk i ra ndërmend që t’i lirojë mërgimtarët nga tatimi në pronë për shtëpitë e pabanuara, të cilave u hapen dyert një apo dye herë në vit dhe atë në kohëzgjatje jo më shumë se një muaj brenda një viti kalendarik.
Madje për këtë çështje u kam shkruar disa herë letër publike në vijimësi të gjithë ministrave të Jashtëm dhe të Diasporës, por zakonisht kam mbetur pa përgjigje dhe pa asnjë lëvizje sa i përket kësaj kërkese të arsyeshme qytetare!
Jam i bindur se këto letra publike i kanë lexuar liderët e partive dhe shumica e deputetëve, por asnjëri prej tyre nuk e ngriti këtë si çështje në Parlament!
Këtu shihet qartë se këto parti politike dhe politikanët në përgjithësi nuk i kanë prioritet mërgimtarët dhe as nuk e kanë në plan përfshirjen e diasporës në vendimarrje, as shpërblimin simbolik për kontributin madhor te saj në çlirimiin e Kosovës, por grabitjen e votave dhe zbrazjen e xhepave të mërgimtarëve deri në centin e fundit në vendlindje!
Mërgimtarët duhet të meditojnë dhe të reflektojnë thellë para se të votojnë
Një klasë politike që nuk i dëgjon dhe as nuk i respekton kërkesat e qytetarëve (mërgimtarëve), ajo nuk i duhet shtetit dhe as popullit të Kosovës, e më së paku mërgimtarëve!
Ne mërgimtarët nëse duam ta ndihmojmë vendin tonë duhet të mobilizohemi si një trupë e vetme për t’i bojkotuar këta kusarë politikë që na sollën shtetin në pragë të kolapsit ekonomik!
Politikanëve që na kërkojnë votën duhet t’iu themi troç; “Nuk keni vota nga ne që na larguat nga vendi, kthehuni dhe kërkojuni votën atyre që ua bëtë jetën ferr në Kosovë”!
Vetëm kështu mërgata e jonë do të bënte aktin heroik për shtetin e Kosovës. Për shkak se vetëm largimi i tërësishëm i këtyre kusarëve nga skena politike do të hapte rrugën për ndryshime të mirëfillëta dhe përmbajtësore për vendin tonë.
Kosova ndodhet para një momenti kyq dhe vendimtar!
Dalja nga ngërçi institucional i ka dy rrugë të vetme: bojkot total të zgjedhjeve ose dalje masive në zgjedhje!
Pra, zgjidhja është në duart tona.
Bojkoti i zgjedhjeve do ta prodhonte në ‘Qeveri të Shpëtimit Kombëtar’, kurse pjesëmarrja masive në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe vota e lirë do ta prodhonte një ‘Qeveri’ stabile për ta tejkaluar bllokadën dhe ngërçin institucional.
Meqë kushtet për bojkot të zgjedhjeve janë të paaritshme, ju ftojë që më 28 dhjetor të dilni masivisht në zgjedhje dhe të votoni me maturi dhe pjekuri politike, me përgjegjësi qytetare dhe dashuri për shtetin e Kosovës!
Pas këtyre zgjedhjeve bashkohuni në Alternativën Demokratike për Ndryshim (ADN), e cila do të jetë besa dhe shpresa, shpirti dhe forca e ndryshimit real dhe substancial në Kosovë, e cila interesin e shtetit dhe qytetarëve (mërgimtarëve) do ta vëjë para çdo interesi personal dhe partiak.