Fakulteti i Bujqësisë dhe i Bioteknologjisë i Universitetit të Tetovës, sot organizoi ceremoni solemne me rastin e 10-vjetorit të themelimit. Ky jubile shënoi një dekadë përkushtimi institucional, zhvillim të vazhdueshëm akademik, por edhe reflektim mbi rrugëtimin e deritanishëm dhe vizionin për të ardhmen. Në këtë veprimtari morën pjesë Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektorja për Financa Prof. Dr. Aida Yzeiri – Baftijari, Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri, Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit të Tetovës, z. Adem Beadini, ish-dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë, Prof. Dr. Hazir Pollozhani, ish-dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezair Idrizi si dhe Kryetari i Kuvendit Studentor, Leart Ibraimi.
Dekani i këtij fakulteti, Prof. Dr. Alirami Saliji, në fjalimin e tij tha se bujqësia si degë e rëndësishme e ekonomisë është burim i vetëm i sigurimit të ushqimit. Ai u shpreh se në vendin tonë rëndësia e saj rritet edhe më tepër nga fakti se ajo së bashku me industrinë e përpunimit të produkteve bujqësore merr pjesë me 16% në bruto prodhimin vendor.
“Kjo gjendje e krijuar mund të tejkalohet përmes aplikimit të një bujqësie profesionale, të qëndrueshme, intensive, profitabile dhe konkurruese. Një bujqësi të këtillë mund ta kemi vetëm nëse përgatiten kuadro profesionale të një modeli evropian të cilët do të jenë të gatshëm që të arriturat shkencore në lëmin e bujqësisë t’i përcjellin te fermerët. Këto kuadro mund të përgatiten në institucionet arsimore-shkencore siç është FBB si njësi akademike e Universitetit të Tetovës. Ekspertët e bujqësisë kanë mision: sigurinë ushqimore, ruajtjen e mjedisit jetësor, avancimin e shërbimeve këshillimore, implementimin e teknologjive të avancuara, financimin e sektorit të bujqësisë, përshtatjen me kushtet klimatike dhe aplikimin e një bujqësie të qëndrueshme dhe inteligjente. Kjo veprimtari kërkon profesionalizëm vizion, qëllim, përkushtim dhe përgjegjësi” – tha dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë, Prof. Dr. Alirami Saliji.
Për historikun e kësaj njësie akademike, foli shefja e katedrës së programit studimor Prodhimtari Bimore, Prof. Dr. Hirijete Idrizi. Ajo theksoi se dhjetëvjetori i themelimit dhe i veprimtarisë së Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë përbën një moment të veçantë dhe me rëndësi të madhe për Universitetin e Tetovës dhe për mbarë komunitetin akademik.
“Nisma për themelimin e Fakultetit u iniciua nga Prof. Dr. Hazir Pollozhani dhe u mbështet nga Rektori i atëhershëm i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Sekretari i Përgjithshëm, z. Adem Beadini, kryetari i komisionit amë për themelimin e fakultetit Prof. Dr. Xhezair Idrizi, si dhe Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti ( dekani aktual i Fakultetit Filozofik). Duke u udhëhequr nga nevojat reale akademike, profesionale dhe shoqërore, u ndërmorën të gjithë hapat institucionalë për përgatitjen dhe parashtrimin e kërkesës zyrtare për themelimin e Fakultetit, në përputhje të plotë me procedurat ligjore në fuqi. Si rezultat i këtij procesi, Fakulteti i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë u themelua më datë 25 dhjetor të vitit 2015 dhe u konceptua me tre programe studimore: Agrobiznes, Prodhimtari Bimore dhe Bioteknologji Animale. Këto programe u hartuan sipas parimeve të Sistemit të Bolonjës dhe u orientuan drejt formimit të gjithanshëm teorik dhe praktik, duke reflektuar misionin dhe vizionin afatgjatë të universitetit për avancimin e fushave studimore që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, sigurinë ushqimore dhe qëndrueshmërinë mjedisore të vendit.” – deklaroi mes tjerash profesoresha Prof. Dr. Hirijete Idrizi.
Për kontributin e dhënë në themelimin Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prof. Dr. Hazir Pollozhani dhe Sekretari i Përgjithshëm z .Adem, Beadini. Fakulteti i Bujqësisë dhe i Bioteknologjisë numëron 174 studentë aktivë, ndërsa 56 studentë kanë përfunduar me sukses studimet, duke fituar tituj profesionalë në fushën e bujqësisë dhe agro-ekonomisë. Sot kuadrot e diplomuar janë sipërmarrës të suksesshëm të bizneseve bujqësore në shtetin tonë dhe në rajon.


Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com